Antonio Kasano nuk kursehet kurrë ndaj Masimiliano Alegrit, të cilin e ka kritikuar rregullisht në vitet te Juventusi dhe vazhdon ta bëjë edhe tani që është te Milani. Sipas ish-sulmuesit, trajneri nuk ka ndryshuar aspak mënyrën e tij të lojës me një futboll që nuk pëlqehet.
Kasano, duke folur në programin “Viva el Futboll”, ka theksuar se skuadra kuqezi, nën urdhrat e Alegrit, ka pak mundësi që të arrijë vendin e tretë apo të katërt.
“Unë them: ke qenë pushim për një vit, do të evoluosh pak, dëshiron të bësh diçka ndryshe, dëshiron të më dhurosh diçka. Unë nuk mund ta shoh një ekip si Milani me lloj të caktuar lojtarësh si Modriç, një nga më të mëdhenjtë, i cili luan si mesfushor tipik duke rikuperuar topat.
Nuk mund ta imagjinoj ekipin e tij, me përjashtim të ndeshjes kundër Udinezes dhe gjysmës së ndeshjes kundër Bolonjës, ku vendos gjithmonë të gjithë të luajnë pas linjës së topit, duke e hedhur topin përpara dhe të shpresojmë të ndodhë diçka.
Unë nuk shoh asgjë, të gjithë qëndrojnë pas topit duke u mbrojtur, pastaj gjen golin dhe vazhdon të mbrohesh. Për mua, ky nuk është evolucion, ky nuk është lloji i futbollit që më pëlqen dhe nuk mendoj se Alegri do ta ketë jetën e gjatë në Milano. Kam dyshimet e mia që ai do të përfundojë i treti ose i katërti këtë vit; mendoj se ai do e ketë jetën e shkurtër, siç ishte për Murinjo. Ky është treni i fundit, pastaj është i mbaruar”, ishin fjalët e Kasanos.







