✍️ Shkruar nga “Shkodra Sport”

Talentet shqiptare shpesh nuk e gjejnë veten në kampionatet tona. Edhe pse rriten në ekipet e moshave, vitet e fundit është ndjerë ndikimi i afrimit të shumtë të lojtarëve të huaj, të cilët u ngushtojnë hapësirat futbollistëve të rinj shqiptarë. Për këtë arsye, shumë prej tyre kërkojnë mundësi për të vazhduar karrierën jashtë vendit.

Në këtë drejtim spikat menaxheri i njohur shqiptar, Bruno Dodi, i cili u ka hapur dyert shumë futbollistëve të rinj drejt kampionateve të njohura europiane. Dodi shpesh shihet në stadiumet shqiptare duke ndjekur ndeshjet e ekipeve tona, sidomos ato të akademive, për të pikasur elementë të spikatur. Ai ka krijuar lidhje me kampionatet e Kroatës, Portugalisë, Polonisë dhe vendeve skandinave, ku ka transferuar disa lojtarë me perspektivë.

Një prej tyre është Xhonatan Zifla, djaloshi me origjinë nga Tepelena, i lindur më 28 korrik 2000. Pas eksperiencave me Partizanin U-17, Partizanin U-19 dhe Dinamon U-21, ai vendosi ta vazhdojë karrierën jashtë Shqipërisë.

Menaxheri Bruno Dodi, i cili ka mundësuar transferimin e shumë talenteve shqiptare në Europë, e ka ndjekur Ziflan prej kohësh dhe së fundmi e ka ndihmuar që të bëhet pjesë e skuadrës së njohur të ligës ekselente në Itali, A.S.D. Alife Calcio, që synon ngjitjen në një kategori më lart.

Më parë, Zifla ka luajtur edhe me ekipin italian A.S.D. Castrovillari Calcio, me qendër në Reggio Calabria. Ditët e fundit, ai ka firmosur kontratën dhe është prezantuar zyrtarisht me skuadrën e re.

Klubi ka për president Maurizio Di Costanzo dhe trajner Nino De Tato. Mesfushori tepelenas synon të lërë gjurmë në ekipin e ri, ku është përshtatur mjaft mirë, dhe e sheh këtë si një trampolinë për ta çuar karrierën edhe më lart.

Zifla është shprehur i kënaqur me kushtet që ka gjetur, si edhe me mikpritjen e drejtuesve të klubit italian, ndërsa tashmë ka fituar edhe vendin e titullarit në formacion.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


Menaxheri Bruno Dodi