✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI
Gjatë gjithë historisë së saj skuadra e Vllaznisë nuk është shquar kurrë për futboll mbrojtës apo mbrojtje të forta. Me shkodranët që gjithmonë si kryefjalë të stilit të tyre kanë pasur sulmin dhe shënimin e golave. E një “traditë” e tillë ka vijuar në vite për kuqeblutë, ku edhe në sezonin aktual falë stilit që aplikon skuadra është një nga ekipet që pëson më shumë gola.
Kështu në 11 javë kampionat deri më tani, skuadra veriore ka pësuar 9 gola në portën e saj. Duke qenë kështu ekipi që ka pësuar më shumë në krahasim me skuadrat e tjetra pretendente. Ku Dinamo që ka pësuar 5 gola mban edhe mbrojtjen më të mirë e ndërsa 6 gola ka pësuar Elbasani dhe 7 të tillë ka pësuar Egnatia.
Pra, nga ekipet e kreut është skuadra e Martinit që ka qenë më e ndëshkuara, me trajnerin shkodran që shpesh e ka theksuar këtë “defekt” të skuadrës së tij. Por, që patjetër futbolli sulmues që aplikon skuadra, bën që të ketë “deficite” në prapavijë, që dërgojnë edhe në pësimin e golave.
Megjithatë duhet theksuar se 3 nga 9 golat e pësuar kanë ardhur në humbjen 3-1 ndaj Dinamos në javën e dytë të edicionit. Teksa skuadra ka pësuar 2 gola në fitoret 4-1 ndaj Partizanit dhe 3-1 ndaj Tiranës e po ashtu ka pësuar 3 gola në barazimet 2-2 ndaj Egnatias dhe 1-1 ndaj Teutës. E në këtë mënyrë situata “zbutet” disi pasi kuqeblutë pavarësisht se kanë pësuar gola kanë arritur të marrin pikë të rëndësishme që aktualisht i mbajnë në krye të kampionatit.
Pavarësisht se gjatë kësaj periudhe ku kampionati do jetë pushim, një vëmendje kryesore në kampin kuqeblu do marrë pikërisht përmirësimi i mbrojtjes. Në mënyrë që skuadra të pësojë sa më pak gola në javët e ardhshme, ku edhe kampionati do hyjë në një fazë të “nxehtë” të tijën.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”







