Besëlidhja vazhdon ecurinë fantastike në kampionatin kombëtar të basketbollit për meshkuj, duke treguar një nivel superior ndaj çdo rivali që i del përpara. Lezhjanët, po zhvillojnë për të tretin sezon radhazi një kampionat më vete, duke sunduar sportin e koshit në Shqipëri. Skuadra e drejtuar nga trajneri shkodran Afrim Bilali shënoi dje fitoren e shtatë në po kaq ndeshje në kampionat, ku të gjitha kanë ardhur me rezultate treshifrore.
Këtë herë Besëlidhja mposhti Skënderbeun 115-64 në ndeshjen hapëse të javës së shtatë, sfidë e zhvilluar dje në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Një takim pa histori, me skuadrën lezhjane që ishte e papërmbajtshme në sulm si dhe e organizuar mirë në mbrojtje. Me gjithë dëshirën e madhe të korçarëve, fatet e ndeshjes duke se ishin shkruar pa nisur ende loja dhe diferencat mes ekipeve u konfirmuan më pas edhe në parket. Një humbje e vendosur në “preventiv” nga trajneri Bruno Topi, me Skënderbeun që vinte në kryeqytet pas një momenti të mirë me tri fitore radhazi në kampionat.
Takimi nisi me një kosh për 3 pikë nga Dalon Dean që në aksionin e parë të Besëlidhjes, me skuadrën veriore që i vendosi shpejt distancat, për ta fituar periodën e parë 32-12. Vendësit morën edhe çerekun e dytë 32-13, duke shkuar në pushimin e madh me avantazhin 64-32 në shifra të përgjithshme. Gjysma e dytë e ndeshjes nuk ndryshon asgjë, pasi Besëlidhja merr edhe dy periodat e radhës, 23-17 dhe 28-15, për të shënuar suksesin final me +51 pikë diferencë. Duke kaluar te statistikat e lojtarëve, edhe një herë tjetër te Besëlidhja spikat loja e grupit, pasi 12 lojtarët e aktivizuar kontribuuan në realizimin e pikëve.
Spikati sërish rendimenti i jashtëzakonshëm nga pankina, protagoniste me plot 68 pikë. Vlerësimin MVP e meritoi Julian Hamati, autor i 19 pikëve, 6 kërcimeve dhe 4 asistimeve në 20 minutat që qëndroi në parket. Për Skënderbeun u dallua Linton Brown Jr, me 25 pikë, 5 kërcime dhe 2 asistime.
Java e shtatë do të vijojë me tri ndeshje këtë të shtunë: Flamurtari-Elbasani në orën 15:00, Pogradeci-Teuta në orën 17:00 dhe Apolonia-Tirana në orën 19:00. Të dielën do të luhen takimi Vllaznia- Fieri në orën 17:00, ndërsa java do të kompletohet të hënën me sfidën Kamza-Partizani në orën 19:00.







