Miq të zgjuar, pasi ta lexoni këtë shkrim, nëse jeni dakort, shpërndajeni sa më shumë, pasi i shërbejmë Kombit! Kombin e mbajnë gjallë njerëzit e aftë!
Ka disa media që po e anatemojnë Armando Brojën për ndeshjen e tij të dobët ndaj Andorrës por dhe më herët. Një ndeshje e vakët, një pasim i gabuar, një driblim që s’doli… dhe menjëherë “gjykata popullore” shqiptare shpall fajtorin.
Por Broja nuk është fajtor.
Fajtore është kultura jonë e vjetër: nuk dimë ta mbrojmë të mirin, nuk dimë të investojmë te talenti, e mbi të gjitha… shitemi lirë.
1. Cilësitë që nuk i ka asnjë futbollist tjetër shqiptar SOT. Shpejtësia e nivelit botëror. Armando Broja ka regjistruar shpejtësi deri në 31.85 km/h sipas të dhënave zyrtare të UEFA-s. Ben Chilwell, një nga mbrojtësit më të shpejtë të Anglisë, ka deklaruar publikisht se Broja është “probably the quickest”, madje e krahasoi me Raheem Sterling.
Ky është nivel Premier League, jo folklor ballkanik-albanez. Mbajtja e topit dhe përplasja fizike. Me trup 190 cm dhe me një fuqi të natyrshme atletike, Broja e mban topin si pak kush. Akoma më e rrallë: përmasat e tij nuk e bëjnë të ngathët, por të shpejtë, të kthjellët dhe agresiv në duele.
Gjatësia e rrallë e sulmuesit modern. Në futbollin europian, sulmues si Zlatan (1.95), Giroud (1.93), Kane (1.88) kanë ndërtuar epoka. Broja është në të njëjtin profil fizik, por me një element që ata nuk e kanë pasur në moshë të re:
shpejtësi ekstreme.
Luan me të dyja këmbët njësoj. Përdor më shumë të djathtën, por me të majtën gjuan, kroson, driblon dhe përfundon aksionet.
Ky është tipari i sulmuesve të mëdhenj: Agüero, Benzema, Rooney. Prandaj Broja është ndryshe nga çdo sulmues që ka prodhuar Shqipëria. Gjuan me kokë dhe me këmbë – njësoj rrezikshëm.
Në ajër është armë. Në tokë është sprint. Në duel është bishë. Në hapësirë është vetëtimë. Ky është identiteti i tij sportiv – një identitet që nuk e kemi parë më parë te futbollistët tanë. Produkt i njërës prej 5 akademive më të mira të botës: Chelsea.
Broja është rritur te akademia e famshme e Chelsea-s, një fabrikë yjesh që ka prodhuar Mount, Reece James, Tomori, Chalobah, Abraham dhe dhjetëra lojtarë elitarë. Ai ka mësuar futboll në tempullin e Premier League, jo në fusha balte.
Është ende 23 vjeç!
Në këtë moshë Harry Kane ishte huazuar në liga të vogla. Rashford nuk kishte stabilitet. Lewandowski nuk quhej “yll”.
Ibrahimoviç ishte vetëm një premtim. Broja është në fazën më të rëndësishme të zhvillimit – ku një komb duhet ta mbështesë, jo ta djegë.
2. Apeli im..
Silvinjo: Lejoje djalin të luajë aty ku e ndien! Broja nuk është sulmues që rri i ngjitur në krah. Nuk është as “false nine”. Ai është një talent ofensiv i lirë, një dragua i hapësirave të mëdha. Mos i vendos samar një kali që është krijuar për të vrapuar i lirë! Tifozë dhe analistë “më të mençur se futbolli”: Uluni!
Po, uluni. Tregoni pak respekt. Armando Broja është futbollisti më cilësor që ka pasur Kombëtarja në 80 vitet e fundit.
Ai nuk është “çun i lagjes”, nuk është produkt lokal – është markë botërore që përfaqëson flamurin tonë.
Armando, mbaji veshët mbyllur! Ky vend ngre statuja për humbësit dhe vret me gurë fituesit. Ky popull i ngjit në qiell fëmijët e vet dhe pastaj i hedh poshtë. Por ti mos shiko pas! Ti je Ferrari ynë. Dhe Ferrari nuk ecën në rrugë fshati – ai ka pistën e vet.
Për ta mbyllur miq, Kombëtarja jonë nuk ka luks të shpërdorojë talente si Armando Broja! Nuk ka luks të djegë yjet që e kanë sjellë deri këtu Armando Brojën! Nuk ka luks të shesë lirë atë që bota e paguan shtrenjtë qysh sot! Kali që çalon sot, nesër të nxjerr në mal.
Por Armando Broja nuk është kali që çalon – është kali që duhet mbrojtur. Sepse për herë të parë pas dekadash, futbolli shqiptar ka një lojtar të klasit europian: të gjatë, të shpejtë, të fortë, teknik, të shkolluar, të ri dhe ambicioz.
Dhe ky vend duhet të mësohet më në fund: Talenti nuk kritikohet, talenti rritet gradualisht sepse ështê aset që vjen rrallë dhe është “pronë” e të gjithë Kombit!







