Nëse sulmuesi i njohur anglez, Harry Kane shënon kundër Shqipërisë, ai zë një vend në histori krah Peles, shkruan sot prestigjiozja britanike “The Sun”.
Kapiteni i Anglisë do të arrijë në 77 gola në arenën ndërkombëtare, të njëjtin numër me gjeniun brazilian të futbollit, nëse shënon kundër Shqipërisë në “Arenën Kombëtare”.
Fakti që Kane do të luajë ndeshjen e tij të 112-të në Tiranë, ndërsa Pele e arriti këtë shifër në 92 ndeshje, nuk bën aspak ndryshim.
Shifrat e Kane, si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen për klubin dhe kombëtaren, janë absolutisht marramendëse.
Ëndrra është ende të ngrejë një trofe të madh me Anglinë, i cili, nga ana tjetër, mund ta çojë atë në fitimin e çmimit përfundimtar individual, Topin e Artë.
Kane ka shënuar tashmë 23 herë në 17 ndeshje për ‘’Bayern Munich’’ këtë sezon.
I vetëdijshëm se një gol në një ndeshje të vështirë kundër Shqipërisë do ta çonte atë në një tjetër moment të paharrueshëm, Kane tha se ‘’të jesh pranë një emri si Pele flet vetë’’.
“Ndonjëherë, është e vështirë të përpunosh disa nga emrat që ke pranë ose gjërat që po arrin. Thjesht do të vazhdosh me ndeshjen tjetër. Shpresoj të shënoj dhe të barazohem me Pelen, i cili pati një karrierë ndërkombëtare kaq frymëzuese, pasi kjo tregon se sa larg kam arritur në karrierën time’’, shtoi ai.
Sa i përket ndeshjes së sotme, stadiumi shqiptar do të jetë një vend i ri për shumicën e 1 900 tifozëve që kanë udhëtuar nga Anglis, pasi kualifikuesja e Kupës së Botës, në mars 2021, u luajt në një stadium të zbrazët për shkak të kufizimeve të Covid-19. /ATSH/







