Spanja rezervoi biletën e saj për në Kupën e Botës 2026 me një barazim 2-2 kundër Turqisë në ndeshjen e tyre të fundit kualifikuese, duke kryesuar Grupin E. Turqia përfundoi e dyta dhe do të garojë në play-off pasi u bë skuadra e parë që detyroi kampionët e Euro 2024 të Luis de la Fuente të humbnin pikë.

Dani Olmo e çoi Spanjën në epërsi, por Deniz Gul dhe Salih Ozcan shënuan për Turqinë, ndërsa vendasit pësuan golat e tyre të parë në këto kualifikuese. Mikel Oyarzabal u kundërpërgjigj për të barazuar në Seville për një skuadër spanjolle që kërkon të fitojë çmimin më të madh të futbollit për herë të dytë.

Spanja shënoi 21 gola në kualifikuese, ndërsa pësoi vetëm dy herë dhe nuk ka shijuar humbjen në një rekord kombëtar prej 31 ndeshjesh radhazi. Turqia tregoi se skuadra e trajnerit Luis De la Fuente nuk është e përsosur, megjithëse Spanjës i mungonin disa lojtarë kyç, përfshirë Lamine Yamal, Nico Williams dhe Rodri.

“Ka shumë punë për të bërë dhe kohë për të menduar për shumë gjëra, por ne do të përgatitemi mirë”, tha De la Fuente. “Shpresoj se mund të mbështetem te të gjithë lojtarët. Në Botëror do të marrin lojtarët më të mirë që kemi në Spanjë për të garuar dhe për të provuar të fitojnë këtë garë të bukur“, shtoi ai.

“Ndaj Turqisë ne donim të përfundonim me një fitore dhe pa pësuar gol, kështu që ky barazim është i hidhur dhe i ëmbël. Gjithsesi, jemi të lumtur që kualifikohemi për Kupën e Botës. Ata patën raste dhe ne patëm gjithashtu, mund të kishte pasur më shumë gola”, shtoi De La Fuente.

“Është një moment për të parë prapa dhe për të parë gjithçka që kemi bërë, gjithçka për të cilën kemi punuar, përkushtimin e të gjithëve dhe për të festuar. Është një moment i bukur për ekipin kombëtar dhe duhet ta shijojmë atë”, përfundoi trajneri spanjoll.