Shqipëria arriti të kualifikohej në fazën “play off” për një biletë për Botërorin e vitit 2026. Teksa kuqezinjtë zhvilluan ndeshje pozitive ajo që ra në sy ishte forma e Armando Brojës. Një nga talentet më të mirë të futbollit shqiptar nuk po kalon sezonin më të mirë dhe kjo ka ndikuar edhe në ndeshjet me kombëtaren. Por si mund ta “rikthejmë” Armando Brojën?

Ish-lojtari i kombëtares, Vasil Ruci, dha në një intervistë për gazetarin Besard Jacaj mendimin e tij mbi këtë çështje. Ka forma të ndryshme si mund të ndikohet psikologjikisht te një futbollist sipas Rucit, por ai është me një ide tjetër: Broja duhet të martohet.

“Çdo njeri ka mënyrën e tij të zgjedhurit që të arrijë që psikologjikisht të ndikojë te një futbollist. Unë do të mendoja ndryshe. Këtë nuk mund ta bëjë një trajner, këtë mund ta bëjë një psikolog, një psikolog i cili padyshim që është më i përgatitur për t’i mbushur mendjen, ose për ta rehabilituar atë njeri. Unë besoj ndryshe. Unë besoj që atij duhet t’i ndryshojë jeta familjare dhe jeta sportive. Unë do preferoja të martohej, do ishte më i përgjegjshëm, do fillonte familjen, do linte fëmijë dhe do ishte diçka më ndryshe. Janë forma të ndryshme që zgjedhin njerëzit”, tha Ruci.

Sa i përket formës së sulmuesit kuqezi, Ruci tha se ai është ende në formim të karakterit të tij.

“Unë po them është në formim e sipër të karakterit. Të gjithë duhet të mendojmë që atë djalë nuk duhet ta humbasim. Forma dhe mënyra për ta arritur ka shumë sidomos ndikimi te ambienti që ka brenda. Unë mendoj se ambienti i ekipit kombëtar është shumë i mirë i cili atij do i duhet. Te ambienti në ekipin anglez, te trajneri, por në fund të fundit Broja luftën e ka me vetveten. Çdo njeri që bie, sidomos futbollistët, në fund fare duhet të ringrihen dhe ngrihen më fort. Pretendoj që në këto momente Broja është në formimin e karakterit të tij. Ose do marrë për mirë, ose nuk e di si do jetë e ardhmja e tij”, u shpreh Ruci.

Sipas ish-futbollistit, elozhet që ka marrë që në moshë të vogël mund të kenë ndikuar te Broja. Megjithatë theksoi se tashmë është koha që ai të ringrihet dhe këtë duhet ta bëjë vetë.