✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI
Një ndeshje e vështirë e pret Vllazninë në kuadër të javës së 12-të të Superiores, ku shkodranët do udhëtojnë drejt Tiranës për t’u ndeshur me Partizanin. Duel që luhet ditën e dielë në orën 16:30, në stadiumin “Arena e Demave” të kryqytetit dhe pavarësisht pozicionit ku ndodhen aktualisht të kuqtë, ata nuk nënvlerësohen aspak në kampin shkodran. Me trajnerin Martini që i ka dhënë vëmendje absolute këtij takimi, ashtu siç e kërkon dhe e paraqet edhe historiku i përballjes mes dy skuadrave.
Por, në prag të këtij takimi për formacionin kuqeblu ka disa dilema përsa i përket titullarëve që do hidhen në fushë. Kështu në portë pritet të mos ketë ndonjë ndryshim, me Pohls që do paraqitet mes katër këndeve pavarësisht rikthimit të plotë tashmë të Jukajt.
Në mbrojtje një mungesë e sigurt është Gurishta, për shkak të pezullimit nga ndëshkimi me kartona. Një balotazh duket se ka momentalisht për zëvendësuesin e tij, mes Kuros dhe Pusit, ku i pari duket disi më i favorizuar. Teksa repartin pritet ta kompletojnë edhe Gjini e Bajrami.
Edhe në mesfushë ka dilema, kjo për shkak të formë jo në 100% të dyshes Murataj-Kallaku, me këtë të fundit që pritet t’a nisë nga stoli duke pasur parasysh një dëmtim që ka kaluar së fundmi. Kështu Krymi duket i sigurt në këtë repart, ku duket se do ketë edhe mbështetjen e Muratajt dhe Qatos, teksa një opsion për t’a nisur nga minuta e parë është edhe Sala. Nga krahët e këtij reparti nuk pritet të ketë ndryshime, me Kastratin që do veprojë djathtas dhe Jagon në të majtë.
Në sulm po ashtu i padiskutueshëm është Balaj, që sërish do ketë mbështetjen e Males në repartin e avancuar. Dhe pavarësisht rikthimit të Bismark, ganezi ende nuk ka ritmin e duhur në këmbët e tij dhe me siguri nuk do e nisë ndeshjen ndaj të kuqve nga minuta e parë. Kështu dilemat e Martinit pritet të zgjidhen gjatë kësaj fundjave, ku gjithçka do përcaktohet përfundimisht nga ana e teknikut shkodran.







