“San Siro” përjeton një nga derbet e fundit Inter-Milan si një stadium me shumë histori, sepse tashmë është dhënë “drita jeshile” për prishjen e tij dhe ndërtimin e një tjetri modern aty.
Chivu dhe Allegri përballen për herë të pare; një trajner me mbi 20 vite përvojë kundër atij që është i ri në Serie A. Të dyja ekipet e sfidojnë njëri-tjetrin me 3-5-2, por siç thoshte Bruno Pesaola, “unë i vendos perfekt në fushë, pastaj fatkeqësisht lojtarët lëvizin…”
Sfida kryesore në përballjen e dy 3-5-2 është kufizimi i “playmaker”-it rival. Për karakteristikat e Calhanoglu, ai mund të shkojë ta bllokojë Modricin, ndryshe këtë detyrë mund ta marrin sulmuesit e Interit. Por një lëvizje e tepërt e Calha mund të krijojë hapësira si në Milan-Napoli, që Allegri i shfrytëzoi me Pulisic. Këtë herë mund të jetë Leao ai që përfiton.
Tek Interi, Chivu përdor më pak rotacione se Inzaghi, por shpesh e nis veprimin me katër dhe shfrytëzon zbritjet e Akanji e Bastoni për epërsi numerike. Nëse Milani mban bllok të ulët, Interi duhet të kërkojë shpejt ndryshime krahu dhe riagresion. Chivu iu kushton vëmendje të madhe edhe markimeve parandaluese, pasi Milani me hapësira rrezikon shumë.









