✍️ Shkruar nga Gjergj KOLA
Dje u zhvilluan garat kombëtare të karatesë në Carpi të Italisë, ku mori pjesë edhe talentja lezhjane, Mikela Skandaj. Një garë e rëndësishme, ku pjesëmarrja ishte shumë e madhe, me mbi 600 karateistë. Për Mikelen kjo ishte gara e parë kombëtare për këtë vit, pas Kampionatit Europian që u zhvillua në Riga të Letonisë, ku ajo i dhuroi Italisë dy medalje bronzi.
Mikela mori pjesë në peshën 60 kg dhe garoi në dy stile të ndryshme: kata dhe kumite. Nënkampionia e Europës e kishte vlerësuar shumë këtë turne; ajo vinte edhe nga një dëmtim, por besonte fort te potenciali i saj — dhe ashtu ndodhi. Ajo u ngjit në podium tri herë, duke i dhuruar skuadrës veroneze dy medalje ari dhe një argjendi, si dhe duke koleksionuar tashmë në total plot 65 medalje në total gjatë 6 viteve të karrierës së saj.
Por duhet thënë se gjatë finales së dytë, ka patur një incident që flet shumë. Mikela po fitonte me rezultatin e thellë 5–2. Në përfundim të takimit, arbitri ngriti dorën duke shpallur fituese finalisten tjetër, por Mikela reagoi menjëherë, duke i kujtuar se ishte ajo fituesja e medaljes së artë.
Ajo i tha: “Babai im ka filmuar gjithçka dhe mund ta shikosh videon.” Pas një diskutimi të gjatë, juria kërkoi falje për gabimin, pasi pikët që kishte marrë Mikela ia kishin kaluar gabimisht kundërshtares së saj. E nëse nuk do kishte qenë e filmuar ndeshja? Ja pra ndodh edhe kjo në Itali dhe të shpresojmë që gjithçka ndodhi të mos ketë të bëjë me origjinën e Mikela Skandajt.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”







