Gianluigi Buffon, legjendë e futbollit italian dhe aktualisht shef i delegacionit të kombëtares italiane, komentoi në studiot e DAZN humbjen në “San Siro” ndaj Norvegjisë. Ai u shpreh i tronditur nga reagimi i tifozëve:
“Nuk kam parë kurrë një kombëtare që në minutën e 55-të të fillojë të ofendohet dhe të kontestohet. M’u duk diçka e padëgjuar, u turpërova, sepse mund ta fishkëllesh në minutën e 90-të, por jo në mes të ndeshjes”.
Buffon theksoi se një klimë e tillë nuk është aspak ndihmuese: “Nuk ka asgjë konstruktive që të të japë besim drejt një objektivi si Botërori. Duket sikur njerëzit kënaqen duke krijuar zhurmë dhe përçarje, Italia nuk e meriton këtë”.
Ai paralajmëroi se ky negativitet mund ta dëmtojë Italinë edhe në rast kualifikimi: “Edhe nëse shkojmë në Botëror, një gjë e tillë e ndot ekipin”. Buffon e përfundoi me një thirrje: “Të gjithë duam të rikrijojmë emocione, por më parë duhet të jemi të gatshëm t’i jetojmë ato”.















