✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI
Ndeshja e rradhës në kampionat për Vllazninë është ai kundër Teutës, me takimin e javës së 13-të që do luhet të premten në orën 18:00, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Një takim që paraqet një dozë të lartë vështirësie për Vllazninë, pasi Teuta ka treguar se është një skuadër me pretendime ambicioze këtë sezon. Megjithatë statistikat e 4 viteve të fundit në gjitha përballjet mes dy skuadrave flasin totalisht në favorin e Vllaznisë, që ka shfaqur një dominim ndaj bregdetarëve.
Kështu fitorja e fundit e Teutës kundër kuqebluve në një ndeshje zyrtare shënohet në datën 28.08.2021, ku durrsakët triumfonin 3-0 ndaj Vllaznisë. Duel që vlente për Superkupën e Shqipërisë të vitit 2021 dhe vendosej nga golat e Aleksit, Grudes dhe Plakut.
Por, që nga ai takim në përballjet mes dy skuadrave gjithçka ka folur në ngjyrat kuqeblu, pasi në kampionat janë zhvilluar plot 17 takime mes dy ekipeve. Ku janë 9 fitore të shkodranëve e ndërsa 8 takime kanë përfunduar në barazim mes dy skuadrave.
Një dominim total i Vllaznisë që nuk humbet prej më shumë se 4 vitesh ndaj Teutës në një takim zyrtar. Teksa suksesi i fundit i “djemëve të detit” në një ndeshje kampionati ndaj Vllaznisë shënohet në datën 03.03.2021, ku fitonin me shifrat 1-0. E ndërsa për të shikuar një fitore të fundit të Teutës në Shkodër duhet të kthehemi në datën 28.06.2020, ku skuadra durrsake fitonte për herë të fundit në “Loro Boriçi” në shifrat 0-3 në kuadër të javës së 31-të të sezonit 2019-20.
Me shifra të tilla që flasin totalisht në favor të kuqebluve, ekipi i Martinit do kërkojë t’i pasurojë akoma më tepër këtë të premte. Po ashtu për të ruajtur edhe rekordin e ndeshjeve shtëpiake këtë sezon, ku Vllaznia njeh vetëm fitore në Shkodër, duke marrë 6 fitore në 6 ndeshje të zhvilluara në shtëpi deri me tani. Ku 9 herë kampionët e vendit kanë shënuar 13 gola dhe pësuar vetëm 2 të tillë.















