Ndonëse në kalendar Vllaznia do ta luante në transfertë ndeshjen e rradhës ndaj Vorës, në fakt ditën e enjte do të luajë sërish në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Lajmi është bërë i ditur pak minuta më parë nga vetë klubi kuqeblu.
Që do të thotë se Vllaznia do ta luajë edhe sfidën e rradhës në shtëpi. Kjo pas marrëveshjes së arritur me drejtuesit e Vorës, të cilët të gjendur në vështirësi për gjetjen e një stadiumi ngaqë i tyri ende nuk është gati për të pritur ndeshje, i kanë propozuar shkodranëve ta luajnë këtë ndeshje në Shkodër dhe atë të fazës tjetër në Vorë.
Një gjë e tillë është pranuar nga drejtuesit e Vllaznisë dhe kësisoj tashmë është zyrtare që kjo ndeshje do të luhet ditën e enjte në orën 16:30 në stadiumin “Loro Boriçi”.















