Vllaznia futsall është duke marrë pjesë në turneun ndërkombëtar “Ulqini Open 2026” dhe padyshim që ka objektiva serioze për fitimin e tij, ndonëse gara duket se do të jetë shumë e fortë. Turneu ka nisur ditën e djeshme dhe pjesmarrës në të përveç ekipit shkodran janë edhe 15 të tjerë që janë ndarë në 4 grupe.
Sipas shortit, Vllaznia futsall është pjesë e grupit B sëbashku me ekipet “Balkan Eagles”, Zogaj dhe Patike OHS. Kampionët e Shqipërisë e kanë luajtur mbrëmjen ndeshjen e parë dhe kundërshtar i tij ka qenë “Balkan Eagle”.
Kuqeblutë kanë qenë në udhëheqje të rezultatit me shifrat 4-2 duke krijuar përshtypjen se do ta mbyllet me fitore këtë ndeshje, por në minutat e fundit ka pësuar golin e tretë dhe madje në sekondat e fundit edhe të katërtin dhe si rrjedhojë i gjithë takimi është mbyllur në shifrat e barabarta 4-4.
Një rezultat që ka zhgënjyer drejtuesit e skuadrës por ata nuk kanë shumë kohë për të menduar për atë takim sepse nesër në orën 19:00 do të luajnë ndeshjen e dytë të këtij turneu. Këtë herë përballë do të jetë ekipi me shumë përvojë i Zogajt, por synimi i Vllaznisë sigurisht që do të jetë fitorja.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


