Shkruar nga Gjergj KOLA
Në futbollin shkodran ka shumë emra të cilët kanë lënë gjurmë duke luajtur me Vllazninë, por edhe ekipet e tjera e po ashtu edhe me kombëtaren shqiptare. Dhe njëri prej tyre është ish-kapiteni i kuqebluve Gilman Lika. Po ndalemi sot tek ky personazh i njohur sepse kjo ditë përkon me atë të 39 vjetorit të tij të lindjes dhe me këtë rast, në emër të redaksisë së Gazeta “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Gilmani lindi në Shkodër më 13 janar 1987 në një familje që e dashuronte sportin në tërësi dhe në veçanti futbollin. I ati- Fahria ka qenë një pasionant i madh dhe madje edhe ushtrues i kësaj loje magjike duke luajtur deri me të rinjtë e Vllaznisë, por kulmin e patën tek axha i tij- Agroni i cili arriti të luante si titullar me Vllazninë në fundin e viteve ’80.
Dhe ai u rrit me këtë frymë duke u rregjistruar shpejt tek ekipet zinxhir të Vllaznisë dhe trajnerët e tij të parë kanë qenë Isuf Cena dhe Ali Rakiqi. Do të kalonte më vonë tek ekipi i të rinjve ku nën drejtimin e Ismet Hoxhës shpallet kampion i vendit dhe gradualisht erdhi momenti për të debutuar me ekipin e parë.
Do të ishte trajneri Hysen Dedja që do ta aktivizonte për herë të parë si titullar në një ndeshje ndaj Dinamos dhe këtu nisi rrugëtimi i tij me fanellën e Vllaznisë. Do të luante deri në fundin e sezonit 2007-2008 sepse më pas do të transferohej në Turqi. Drejtues të një klubi turk kishin ardhur për të ndjekur Xhevahir Sukajn, por pas finales së Kupës ndaj Tiranës (të fituar nga Vllaznia 2-0), drejtuesit e Hacettepe i vunë gishtin edhe numrit 21 (Gilman Likës) dhe po ashtu morën edhe Telin dhe të tre sëbashku kaluan në kampionatin turk.
Atje Lika do të luante me sukses fillimisht tek kjo skuadër dhe më pas në vitin 2009 do të kalonte tek Boluspor dhe një vit më vonë tek Diyarbakirspor. Në vitin 2011 rikthehet në Shqipëri por për këtë herë për t’iu bashkuar Tiranës, skuadër me të cilën luajti dy sezone. Karriera e mesfushorit shkodran do të vijonte në vitin 2013 në Arabinë Saudite ku iu bashkua ekipit Al Faisaly ndërsa një vit më vonë do t’i bashkohej Flamurtarit të Vlorës.
U rikthye sërish për pak muaj tek Vllaznia, para se të kalonte sërish tek Tirana, skuadër me të cilin luajti deri në fundin e sezonit 2016-2017. Erdhi sërish në Shkodër për të luajtur me skuadrën e qytetit të tij të lindjees, madje duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit deri në fundin e sezonit 2020-2021.
Gjatë karrierës së tij Gilman Lika ka qenë rregullisht pjesë e të gjithë ekipeve kombëtare të moshave dhe arriti në fund të ishte edhe pjesë e kombëtares së të rriturve, me të cilën luajti në 19 ndeshje.
Pas përfundimit të karrierës si futbollist, do të niste menjëherë atë të trajnerit duke punuar në sezonin 2021-2022 me Basania U15 të cilën e drejtoi në kategorinë superiore të moshave. Një vit më pas do të merrte drejtimin e ekipit Vllaznia U17 me të cilin do të shpallej kampion i Shqipërisë.
Ndërkohë prej verës së vitit 2023, Gilmani është duke punuar si trajner në Emiratet e Bashkuara Arabe, por sigurisht që ëndrra dhe dëshira e tij është që një ditë të drejtojë ekipin e parë të Vllaznisë. Pikërisht për këtë ka kryer të gjithë licensimet e duhrua dhe pak kohë më parë ka marrë edhe licensën UEFA PRO.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


