Shkruar nga Endri ÇINARI
Në Kategorinë e Dytë të futbollit shqiptar, Basania nga Bushati po tregon qartë ambiciet e saj për këtë sezon. Objektivi është i qartë: kapja e zonës “play off” në fund të edicionit, dhe për ta arritur këtë drejtuesit kanë nisur lëvizjet e duhura në merkaton e janarit.
Së fundmi, klubi ka zyrtarizuar dy afrime të rëndësishme që pritet të rrisin cilësinë dhe konkurrencën brenda ekipit. I pari është portieri Abdelwaide Mourad. Gardiani maroken, në fakt, i ishte bashkuar Basanias që para përfundimit të fazës së parë të kampionatit, por vetëm gjatë kësaj merkatoje dimërore është bërë zyrtarizimi i tij. Mourad pritet të jetë një pikë e fortë për prapavijën e skuadrës, duke sjellë siguri dhe eksperiencë mes shtyllave.
Afrimi i dytë është ai i Sehar Bushajt, mbrojtësit të majtë që vjen për të përforcuar repartin defensiv. Bushaj ka një eksperiencë të gjerë, pasi më parë është aktivizuar me disa ekipe në Shqipëri dhe Kosovë. Ai njihet gjithashtu si një produkt i akademisë së Vllaznisë, ku ka luajtur edhe me ekipin B të kuqebluve.
Me këto afrime, Basania konfirmon synimet e saj për të qenë protagoniste në pjesën e dytë të sezonit. Merkatoja e janarit shihet si një hap i rëndësishëm drejt realizimit të objektivave, ndërsa pritet që skuadra nga Bushati të vazhdojë të luftojë fort për një vend në “play off” dhe të lërë gjurmë në këtë edicion të Kategorisë së Dytë.


