Shkruar nga Endri ÇINARI
Basania vazhdon të ndërtojë me kujdes projektin e saj sportiv, duke mos u fokusuar vetëm te merkatoja e lojtarëve, por edhe te pasurimi i stafit teknik. Klubi nga Bushati ka zyrtarizuar afrimin e Eldi Hasanit në rolin e trajnerit të portierëve, një lëvizje që synon rritjen e cilësisë dhe profesionalizmit në fazën e dytë të edicionit.
Shkodrani ka nisur tashmë punën me skuadrën dhe do të jetë pjesë e ekipit bushatas gjatë gjithë fazës së dytë të kampionatit. Së fundmi, Hasani ka përfunduar me sukses edhe procesin e licensimeve pranë Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), duke marrë të gjitha kualifikimet e nevojshme për të ushtruar zyrtarisht rolin e trajnerit të portierëve.
Ky emërim ka edhe një vlerë simbolike për klubin, pasi Eldi Hasani njeh shumë mirë ambientin e Basanias. Ai ishte pjesë e ekipit si lojtar në sezonin 2024-25, ndërsa në edicionin aktual 2025-26 ka bërë kalimin nga fusha e lojës në stafin teknik, duke vënë eksperiencën e tij në shërbim të skuadrës.
Me këtë lëvizje, Basania tregon edhe një herë se po mendon për vazhdimësinë dhe stabilitetin, duke i besuar role kyçe njerëzve që njohin filozofinë dhe objektivat e klubit. Afrimi i Hasanit pritet të japë ndikim pozitiv në përgatitjen e portierëve dhe në paraqitjet e skuadrës në pjesën e mbetur të sezonit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


