Pas Fjoart Jonuzit dhe Victor Da Silvës, trajneri Thomas Brdariç dëshiron të marrë tek ekipi i Drenicës që drejton, edhe një tjetër futbollist që ka stërvitur më parë tek Vllaznia. Bëhet fjalë për sulmuesin Mehdi Çoba.
25 vjeçari së fundmi ishte pjesë e SC Gjilanit, por u largua nga ‘Skifterat’ pak ditë më parë, teksa mund të ribashkohet me trajnerin Brdariç në Superligë, tani tek Drenica.
Skuadra e Drenicës duket se është mjaft aktive në këtë merkato me disa afrime dhe largime, duke bërë ndryshime në skuadër dhe padyshim që trajneri i ri- Thomas Brdariç, dëshiron të ketë në dispozicion futbollistë që i njeh mirë dhe njëri prej tyre është edhe Çoba, sulmuesi që kulmin e karrierës së tij e pati pikërisht tek Vllaznia në kohën kur trajner ishte gjermano- kroati.
Rrugët e tyre me shumë mundësi do të bashkohen sërish sepse drejtuesit e Drenicës janë duke ia plotësuar të gjitha kërkesat Brdariçit dhe kësisoj me shumë të ngjarë tek kjo skuadër po krijohet një mini- Vllazni.


