Thursday, June 18, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREBllokimi i merkatos, në Shkodër e marrin me 'qetësi'

Bllokimi i merkatos, në Shkodër e marrin me ‘qetësi’

Shkruar nga Endri ÇINARI

Çështja e bllokimit të merkatos së Vllaznisë vazhdon të mbetet ende e pazgjidhur zyrtarisht, megjithëse prej javësh është një temë e njohur në ambientin kuqeblu. Megjithatë, ajo që bie në sy është qetësia e plotë që ekziston në kampin shkodran, si nga ana e drejtuesve ashtu edhe e stafit teknik, të cilët nuk e shohin këtë situatë si një pengesë serioze për planet e skuadrës në prag të sezonit të ri.

Madje, vetë lëvizjet e kryera gjatë kësaj vere janë një tregues i qartë se në Shkodër ekziston bindja se problemi do të marrë zgjidhje shumë shpejt. Zyrtarizimet e bëra deri tani dhe negociatat e avancuara me futbollistë të tjerë tregojnë se klubi po vepron me sigurinë se merkatoja do të zhbllokohet në kohë dhe pa pasoja për ndërtimin e ekipit.

Burime pranë klubit bëjnë me dije se drejtuesit kuqeblu janë të qetë për ecurinë e procedurave dhe presin që gjithçka të mbyllet pozitivisht brenda pak ditësh. Për këtë arsye, puna për përforcimin e skuadrës nuk është ndalur në asnjë moment, ndërsa trajneri Edi Martini vijon të ketë kontakte të vazhdueshme me drejtuesit për emrat që pritet t’i bashkohen grupit.

Nga ana tjetër, edhe afrimet e deritanishme janë një sinjal i qartë se Vllaznia po ndërton projektin e saj normalisht, pa u ndikuar nga situata aktuale administrative. Nëse do të kishte pasiguri reale për të ardhmen e merkatos, vështirë se klubi do të ndërmerrte hapa konkretë për të afruar futbollistë që konsiderohen pjesë e rëndësishme e projektit të sezonit të ardhshëm.

Për momentin mungon ende një vendim zyrtar nga FIFA për heqjen e bllokimit, por në Shkodër askush nuk duket i shqetësuar. Përkundrazi, optimizmi mbetet i lartë dhe pritshmëritë janë që shumë shpejt të vijë edhe konfirmimi zyrtar që do t’i hapë rrugën Vllaznisë për të regjistruar afrimet e reja dhe për të vijuar pa asnjë pengesë planifikimin e sezonit të ri futbollistik.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments