Kur u duk se gjithçka po shkonte ashtu si duhej dhe skuadra po bëhej gati për startin e gjysmës së dytë të kampionatit, krejt papritur vjen edhe largimi i trajnerit Erjon Mani nga drejtimi i Basanias. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur vetë ai përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shkruan:
“Sot mbyllet një kapitull shumë i rëndësishëm! Pas dy vitesh si futbollist dhe një vit e gjysmë si ndihmës trajner dhe trajner, vendosa t’i hap rrugë sfidave të reja.
Këto vite kanë qenë plot punë, sakrifica, emocione dhe fitore, por mbi të gjitha kanë qenë vite rritjeje njerëzore dhe profesionale. Kam pasur fatin të ndaj fushën dhe dhomën e zhveshjes me djem të mrekullueshëm, të cilët më kanë respektuar, sfiduar dhe motivuar çdo ditë. Çdo stërvitje, çdo ndeshje, çdo gëzim dhe çdo zhgënjim më kanë bërë më të fortë dhe më të pjekur.
Një falënderim i veçantë për Presidentin Ermir Shimaj, i cili ka besuar tek unë në çdo hap, në kohë të mira dhe të vështira. Mbështetja, besimi dhe korrektësia e tij kanë qenë shtylla kryesore që më kanë dhënë forcë për të vazhduar dhe për t’i dalë përballë çdo sfide.
Jam thellësisht mirënjohës edhe për komunitetin, tifozët dhe njerëzit e zonës që kanë qenë gjithmonë pranë ekipit. Do ta mbaj gjithmonë në zemër këtë ekip, këtë fanellë dhe gjithë kujtimet që kemi ndarë bashkë. Largohem me respekt të madh dhe me bindjen se ekipi do të vazhdojë të rritet. Ju uroj suksese !! Faleminderit nga zemra për gjithçka!”


