Në tre ndeshjet e sotme të Superiores të vlefshme për javën e 19-të të saj, kanë gjykuar dy arbitra të FIFA-s, pikërisht Enea Jorgji dhe Florjan Lata si dhe shkodrani Ditmir Grimci. Interesant është fakti që ky i fundit ndonëse nuk ka stemë ndërkombëtare ka arritur të nxjerrë një ndeshje më të mirë se dy kolegët e tij.
Enea Jorgji po “kryqëzohet” për 11-metërshin e dhënë në favor të Tiranës dhe që vendosi fatin e ndeshjes në “Adush Muça” ndaj Bylisit vendas. Një vendim shumë i diskutuar dhe i anatemuar. Ndërkohë Florjan Lata u kontestua nga drejtuesit e Egnatias për arbitrimin në “Loro Boriçi” ndaj Vllaznisë.
Nga ana tjetër, shkodrani Ditmir Grimci arbitroi në Elbasani- Flamurtari (1-1) dhe nuk mori as më të voglin kontestim nga të dyja palët. Për të duket se gjithçka ka shkuar ashtu si duhet dhe kjo padyshim që ia rrit edhe më shumë vlerat. E sotmja ka qenë ndeshja e pestë për të në këtë kampionat dhe ky është një tregues se Sektori i Arbitrimit pranë FSHF po vlerëson maksimalisht paraqitjet e tij.
Bashkë me Grimcin në “Elbasan Arena” ka qenë edhe një tjetër shkodran sot, pikërisht anësori Ardit Çobaj, ashtu si dhe lezhjani Ridiger Çokaj. Me këtë ecuri, arbitrat shkodranë duket se po konsolidohen çdo ditë e më shumë dhe me siguri që në vazhdim të kampionatit do të jenë sërish protagonistë në fushën e lojës.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


