Shkruar nga Endri ÇINARI
Sherif Kallaku po konfirmon një sezon në rritje me fanellën e Vllaznisë, veçanërisht në përballjet direkte ndaj Egnatias. Mesfushori kuqeblu ishte sërish protagonist kundër rrogozhinasve, duke shënuar golin e vetëm në fitoren 1-0 të shkodranëve në javën e 19-të të kampionatit 2025-26.
Goli i realizuar në “Loro Boriçi” ishte i treti sezonal për ish-futbollistin e Teutës, i cili po rezulton një armë e rëndësishme në skemat e Vllaznisë. Por ajo që bie më shumë në sy është fakti se dy nga këto gola kanë ardhur pikërisht ndaj skuadrës kampione në fuqi.
Pas rrjetës së tundur në takimin e fazës së dytë në Rrogozhinë, sfidë e cila u mbyll në barazim 2-2, Kallaku përsëriti “ritualin” edhe në përballjen e radhës, duke i shkaktuar një tjetër ndalesë skuadrës së drejtuar nga Tetova. Një konfirmim i qartë se Egnatia është kthyer në “prenë” e tij të preferuar këtë sezon.
Me paraqitje të qëndrueshme, personalitet në mesfushë dhe gola vendimtarë, Sherif Kallaku po justifikon pritshmëritë te Vllaznia, duke u shndërruar në një nga lojtarët më konstantë dhe më të rrezikshëm të kuqebluve në ndeshjet e mëdha.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


