Anis Mehmeti është zyrtarisht lojtar i Ipsuiç në Angli. Sot u kryen vizitat mjekësore, për të ardhur më pas zyrtarizimi i transferimit. Kontrata e firmosur me klubin e Championship është e vlefshme deri në vitin 2029.
Shifra e transferimit nga Bristol Siti nuk është bërë publike. Kalimi te një klub tjetër i Championship nuk mund të ndalohej, pasi sulmuesi shqiptar do të mbetej pa kontratë në fundin e sezonit.
Mehmeti largohet si një nga lojtarët më të rëndësishëm të dy sezoneve të fundit te Bristoli. Në total do mbajë kujtimin e 26 golave dhe nëntë asistimeve. Ky largim ndërkohë ishte paralajmëruar tri ditë më parë.
Kalimi tek Ipsuiç është hap i madh në karrierë, pasi Ipsuiç synon ngjitjen direkt në Premier Ligë. Aktualisht mban vendin e tretë në renditje me dy pikë më pak se vendi i dytë. Trajner te klubi i ri i Mehmeti është Kieran MekKena. 39-vjeçari anglez konsiderohet si një nga më premtuesit.


