Burreli nuk arriti të bindë në ndeshjen e fundit të zhvilluar në shtëpi, teksa skuadra e drejtuar nga trajneri Samuel Nikaj u mposht me rezultatin 2-1 nga Laçi, një prej ekipeve pretendente të kampionatit.
Kjo humbje e vështirë e mban ekipin matjan në zonën “play off”, por situata në renditje mbetet mjaft delikate. Diferencat mes skuadrave janë minimale dhe asgjë nuk është e sigurt, teksa rreziku për të rrëshqitur drejt zonës “play out” është shumë pranë, vetëm katër pikë larg.
Për këtë arsye, matjanët po tregohen aktivë edhe në merkaton e janarit, në përpjekje për të përforcuar organikën dhe për të ruajtur pozitat aktuale. Së fundmi, klubi ka zyrtarizuar afrimin e tretë në këtë merkato, duke siguruar shërbimet e mbrojtësit të majtë Kristian Jaku.
Futbollisti nga Rrësheni vjen për të mbushur hapësirën e lënë bosh pas largimit të Endrit Kastratit. Lajmi u konfirmua nga vetë klubi përmes një njoftimi në rrjetet sociale: “KF Burreli njofton afrimin e mbrojtësit të majtë Kristian Jaku, i cili është lojtari më i ri i skuadrës”. Jaku, futbollist me origjinë nga Mirdita, ka qenë më parë pjesë e Teutës dhe Besëlidhjes, duke sjellë eksperiencë dhe alternativa të reja për repartin defensiv të Burrelit.


