Shkruar nga Gjergj KOLA
Pasditen e sotme futbolli shkodran ka marrë një lajm të keq. Është ndarë nga jeta në moshën 65 vjeçare trajneri i njohur Gjovalin Stolaj. Kohët e fundit ai ka kaluar një gjendje jo të mirë shëndetësore dhe si rrjedhojë sot i ka dhënë lamtumirën familjarëve të tij, shokëve, miqve dhe të afërme.
Ai ka lindur në Shkodër më 28 nëntor 1960 dhe ka qenë një pasionant i madh i futbollit, por me të do të merrej rregullisht pas viteve ’90 kur do të niste punë si trajner moshash.
Gjovalini ka një kontribut të madh në futbollin e moshave në Shkodër sepse ka krijuarr një ndër të parat shoqata sportive në Shkodër, pikërisht “Djelmnia shkodrane”.
E bëri në vitin 1998, atëherë kur ishte vetëm 38 vjeç, por me një pasion të madh për të punuar me futbollistët e vegjël. Ka zgjedhur të punojë me një emër të nderuar të futbollit shkodran si Nikoll Gjergji dhe të dy sëbashku për vite me rradhë kanë kontribuar në futbollin e moshave në Veriun e vendit.
Gjovalin Stolaj me dëshirën dhe pasionin e tij krijoi disa ekipe grupmoshash, madje edhe ekip të rriturish me të cilin u përfaqësua në kategorinë e tretë. Emri “Djelmnia shkodrane” filloi të bëhej prezent kudo dhe nuk kanë munduar as trofetë e fituar.
Ashtu si dhe lojtarët e talentuar të dalë prej këtyre ekipeve, të cilët sot luajnë me sukses në ekipe të tjera të vendit por edhe jashtë Shqipërisë. Kjo ishte një biografi e shkurtër sportive për Gjovalin Stolajn, njeriut që sot na dha lamtumirë. Gazeta “Shkodra Sport” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij për humbjen e njeriut të dashur, por edhe komunitetit të futbollit shkodran për ndarjen nga jeta të një pjestari dinjitoz të tij.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


