Ka rinisur sot kampionati i kategorisë së tretë në futboll dhe Vllaznia B e drejtuar nga trajneri Brikeno Bizi e ka startuar me fitore, madje me shifra të thella 7-0 në “derbin” me KF Shkodra. Takimi në mes këtyre dy skuadrave është luajtur pasditen e sotme në fushën sportive të Shtojit.
Në pjesën e parë ka qenë sulmuesi Klajti Halili ai që ka shënuar dy gola njëri pas tjetrit duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij. Ndërkohë në pjesën e dytë nuk ka patur shumë histori pasi kuqeblutë kanë dominuar në çdo drejtim duke shënuar edhe pesë gola të tjerë.
Halili do të shënonte edhe një tjetër duke plotësuar tregolëshin e tij, ndërkohë që dy gola ka shënuar edhe Correa, ndërsa nuk kanë munguar të dërgojnë topin në rrjetën e portës kundërshtare edhe Papaj e Naza. Përfundimisht 7-0 për Vllaznia B.
Me këtë fitore ajo ngjitet në kuotën e 19 pikëve dhe pas javës së 8-të të kampionatit kryeson e vetme renditjen me 19 pikë, e ndjekur nga Dinamo B e cila ka dy pikë më pak të grumbulluara.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


