Fatbardh Jera, ish-mbrojtësi i njohur i Vllaznisë së viteve ’80–’90 dhe kampion i Shqipërisë me kuqeblutë, ka analizuar ecurinë e kampionatit shqiptar në një prononcim për “Panorama Sport”. Sipas 65-vjeçarit, sezoni aktual po karakterizohet nga rivalitet i fortë dhe ekuilibër mes skuadrave, teksa gara për objektivat do të mbetet e hapur deri në fund.
Jera ndalet në veçanti te Vllaznia, skuadra e zemrës, duke vlerësuar rritjen e ndjeshme që kuqeblutë kanë shfaqur gjatë vitit 2026. Ai thekson përmirësimin në fazën mbrojtëse, lojën bindëse dhe rezultatet pozitive, duke ia atribuar meritat trajnerit Martini. Sipas ish-mbrojtësit, ky sezon mund të jetë më në fund ai i duhuri që titulli kampion të rikthehet në Shkodër pas një pritjeje 25-vjeçare.
Jera, si e shihni kampionatin shqiptar deri në këtë pikë të sezonit?
– Shoh një kampionat të ekuilibruar, ashtu siç ka ndodhur shpesh në sezonet e fundit. Nuk ka diferenca të mëdha mes skuadrave dhe secila mund t’i hapë probleme tjetrës. Gara është e fortë në çdo front dhe, edhe pse katër ekipet e para duket se janë shkëputur disi, asnjëra nuk është e sigurt 100% për “Final 4”. Besoj se do të ketë rivalitet deri në javën e fundit dhe kjo e bën kampionatin të paparashikueshëm nga java në javë.
A mendoni se ky është sezoni i duhur që titulli të rikthehet në Shkodër?
– E dëshiroj me gjithë zemër, sepse 25 vite pa titull janë shumë për Vllazninë dhe për Shkodrën. Ka ardhur momenti që titulli të rikthehet dhe në gjoks të stampohet ylli i parë, që simbolizon 10 tituj kampion në historinë e klubit. Skuadra i ka realisht mundësitë dhe duhet t’i shfrytëzojë maksimalisht, duke luftuar deri në minutën e fundit për ta fituar kampionatin.


