Klubi i Lacios ka bërë pak lëvizje në hyrje dhe dalje gjatë merkatos së janarit. Por lëvizjet që kanë bërë, i kanë shkuar shumë për shtat Elseid Hysajt.
Largimi i lojtarëve të vjetër dhe afrimi i atyre me moshë nën 23-vjeç, ka bërë që të hapen vende në listën e ekipit për pjesën e dytë të sezonit për futbollistë që ishin lënë jashtë në pjesën e parë të tij, siç i ndodh Hysajt që në muajin nëntor pas dëmtimit me Kombëtaren shqiptare.
Kësisoj, Lacio tashmë ka përfshirë në listë si Hysajn, ashtu edhe Dele-Bashiru të cilët ishin lënë jashtë më parë, për të plotësuar radhët, duke bërë që futbollistët të jenë pjesë e ekipit deri në mbyllje të këtij sezoni, në dispozicion të trajnerit Sarri.
Për Hysajn u fol si zakonisht se mund të largohej në janar, por ai do të vazhdojë me Lacion deri në mbyllje të këtij sezoni, për të vazhduar më pas karrierën diku tjetër pasi i mbaron kontrata me bardhekaltrit.


