Thursday, February 5, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLL - KATEGORIA E PARETrajneri Nikaj 'ringjall' Burrelin, fitorja në transfertë ndaj Lushnjës i çon drejt...

Trajneri Nikaj ‘ringjall’ Burrelin, fitorja në transfertë ndaj Lushnjës i çon drejt ‘play-off’

Burreli arriti një fitore shumë të rëndësishme në transfertë, duke ringritur moralin e skuadrës pas humbjes së javës së kaluar në shtëpi ndaj Laçit. Ky sukses mban firmën e trajnerit shkodran Samuel Nikaj, i cili po konfirmohet si një nga emrat më të qëndrueshëm dhe me model suksesi në Kategorinë e Parë.

Ecuria e Burrelit këtë sezon është dukshëm më e mirë krahasuar me sezonin e kaluar. Pas javës së 20-të, skuadra matjane renditet mes katër ekipeve të para, çka ka rritur ndjeshëm besimin për realizimin e objektivave të vendosura. Njëkohësisht, Burreli po konkurron denjësisht me ekipe që kanë objektiva dhe buxhete shumë më të larta.

Fitorja e fundit në transfertën lagunare, 0–1 ndaj Lushnjës, është dëshmia më e qartë e punës, stabilitetit dhe organizimit që Nikaj i ka dhënë skuadrës. Një ekip kompakt, i disiplinuar dhe me identitet të qartë në fushë. Duke folur për suksesin në Lushnjë dhe për ndeshjen e radhës në shtëpi ndaj Ilirisë së Fushë-Krujës, trajneri Samuel Nikaj u shpreh: “Ishte një ndeshje e mirëorganizuar nga ana jonë, ku arritëm të përballonim me sukses presionin e fillimit. Gradualisht fituam terren në fushë dhe në pjesën e dytë shpërthyem.

Lojtari me përvojën e një skuadre kampione, si Donald Mëllugja, me pjekurinë e tij arriti të na japë golin e fitores. Skuadra është pothuajse e konsoliduar dhe kompakte. Lojtarët kanë grintë dhe vullnet për të zbatuar detyrat e tyre, çka rrit edhe më shumë forcën e grupit. Ky Burrel më kënaq shumë dhe, duke qenë brenda objektivave, synojmë të mbetemi në katërshen më të mirë të Kategorisë së Parë.

Sa i përket ndeshjes kundër Ilirisë, na duhet të bëjmë detyrat tona të shtëpisë”. Me Nikajn në stol dhe me këtë vazhdimësi rezultatesh, Burreli po shfaqet si një nga surprizat më pozitive të sezonit dhe një kandidat serioz për zonën elitare të Kategorisë së Parë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments