Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia po kalon një moment fantastik në kampionat, duke konfirmuar formën e saj të shkëlqyer me një seri prej gjashtë fitoresh radhazi. Kuqeblutë kanë marrë tashmë kryesimin e renditjes, duke u ngjitur në vendin e parë me 45 pikë, tre më shumë se ndjekësit direkt, Elbasani dhe Egnatia, në një garë që po bëhet gjithnjë e më interesante.
Por, siç thotë edhe shprehja popullore, oreksi vjen duke ngrënë. Në prag të çerekfinales së parë të Kupës së Shqipërisë ndaj Bylisit, skuadra shkodrane shfaqet maksimalisht e përqendruar dhe e impenjuar për të mos lënë asgjë pas dore. Klima në kampin kuqeblu është pozitive, ndërsa objektivat janë të qarta në të dy frontet.
Edhe kompeticioni i Kupës mbetet një synim madhor për nëntë herë kampionët e Shqipërisë, të cilët nuk e nënvlerësojnë aspak përballjen me mallakastriotët. Stafi teknik dhe lojtarët janë të vetëdijshëm se çdo ndeshje ka rëndësinë e saj dhe se rruga drejt trofeve kalon përmes përqendrimit maksimal.
Në këtë mënyrë, ekipi i drejtuar nga Martini pritet të tentojë deri në limit për të luftuar për të dy trofetë, kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë, deri në fund të sezonit, duke synuar ta kurorëzojë këtë formë të shkëlqyer me suksese konkrete.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


