Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia po hyn në një fazë vendimtare të sezonit me një lajm që vlen sa një përforcim i madh në merkato: grupi është tashmë i plotësuar 100% dhe trajneri Martini ka në dispozicion të gjithë organikën për të ndërtuar formacionin ideal. Pas një periudhe të vështirë të shoqëruar me mungesa dhe dëmtime, skuadra shkodrane duket se ka lënë pas problemet fizike, duke rritur ndjeshëm konkurrencën e brendshme dhe alternativat në çdo repart.
Në sfidën e Kupës ndaj Bylisit, një nga momentet më pozitive ishte rikthimi nga minuta e parë i Esin Hakajt. Mbrojtësi i majtë jo vetëm që u rreshtua titullar, por mbajti edhe shiritin e kapitenit, një tregues i qartë i besimit që gëzon brenda grupit. Hakaj tregoi formë të mirë sportive dhe një gjendje optimale fizike, duke dhënë siguri në fazën mbrojtëse dhe duke kontribuar edhe në ndërtimin e aksioneve nga krahu.
Një tjetër rikthim i rëndësishëm ishte ai i Aleksandër Kuros, i cili mori minuta në këtë përballje, duke u rikthyer në fushë pas ndeshjes së fundit të luajtur më 20.12.2025 kundër Tiranës, në javën e 17-të të Superiores. Aktivizimi i tij është një lajm i mirë për repartin e mbrojtjes së kuqebluve, pasi shton alternativa dhe eksperiencë në një moment kur kalendari bëhet gjithnjë e më i ngjeshur mes kampionatit dhe Kupës.
Megjithatë, rikthimi më i madh mbetet ai i Kristian Dros. Mesfushori moldav ka lënë pas një dëmtim të rëndë që e mbajti jashtë fushave që nga 04.10.2025, kur zbriti për herë të fundit në fushë në fitoren 1-0 ndaj Elbasanit, në javën e 6-të. Prania e tij në stërvitje dhe gatishmëria për të kontribuar rikthen balancën në mesfushë, aty ku Vllaznia shton akoma më shumë opsionet dhe konkurencën.
Me këto rikthime, trajneri Martini tashmë ka luksin e përzgjedhjes. Konkurrenca për një vend titullari pritet të rritet ndjeshëm, ndërsa çdo repart ofron alternativa cilësore. Kjo situatë jo vetëm që rrit nivelin e ekipit në fushë, por edhe motivimin e lojtarëve, të cilët do të duhet të japin maksimumin për të fituar besimin e stafit teknik.
Në prag të ndeshjeve vendimtare, Vllaznia shfaqet më e plotë dhe më e konsoliduar se kurrë. Me grupin e rikthyer në kapacitet të plotë dhe me elementë kyç që po gjejnë ritmin optimal, skuadra shkodrane synon të jetë protagoniste si në kampionat ashtu edhe në Kupë, duke synuar objektivat madhorë të sezonit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


