Propozimi i Arsene Wengerit për ndryshimin e rregullit të pozicionit jashtë loje rrezikon të mos miratohet, pasi testimet në Premier League-n kanadeze nuk dhanë rezultatet e pritura.
Ideja e ish-trajnerit të Arsenalit ishte që sulmuesi të konsiderohej jashtë loje vetëm nëse i gjithë trupi i tij ndodhej përpara mbrojtësit. Nëse një pjesë e trupit mbetej në vijë me mbrojtësin, pozicioni do të ishte i rregullt.
Edhe pse numri i pozicioneve jashtë loje u reduktua me 54 për qind në 108 ndeshje të analizuara, u shfaq një problem i papritur: skuadrat i tërhoqën linjat mbrojtëse 1 deri në 3 metra më afër portës, duke luajtur më me kujdes.
Sipas “The Times”, anëtarët këshillimorë të IFAB-it nuk janë të kënaqur me rezultatet dhe miratimi i propozimit tashmë konsiderohet pak i mundshëm.
Wenger mund të propozojë një version më të butë të këtij ndryshimi, por për momentin revolucioni i shumëpritur në rregullat e futbollit duket se po largohet.


