Tjetër fitore e Vllaznia “B” dhe kjo e sotmja ndaj ekipit të Bulqizës është fitorja e gjashtë rradhazi për ekipin shkodran që drejtohet nga trajneri Brikeno Bizi. Kuqeblutë kanë luajtur pasditen e sotme në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe kanë triumfuar në shifrat 4-1.
E veçanta për ekipin Vllaznia “B” ka qenë aktivizimi si titullar në këtë ndeshje i futbollistit të ekipit të parë Alexandros Kouro. Ky i fundit vjen pas një periudhe dëmtimi dhe si rrjedhojë në mungesë të minutave atje, është dërguar nga trajneri Martini të luajë me ekipin e dytë në mënyrë që kështu të kapë formën e tij më të mirë.
Ndeshja e sotme nisi më mirë për bulqizakët të cilët kalojnë në avantazh të parët me anë të futbollistit Mamutaj në minutën e 26-të. Por avantazhi i miqve do të zgjaste vetëm 5 minuta sepse kapiteni Enes Papaj do të barazonte shifrat pas ekzekutimit të saktë të një 11-metërshi të dhënë për skuadrën e tij.
Ndërkohë katër minuta para fundit të pjesës së parë do të ishte sulmuesi Klajti Halili që do të kalonte në avantazh Vllazninë “B” dhe në këtë mënyrë ky 45 minutësh do të mbyllej me shifrat 2-1 në favor të saj. Ndërkohë gjatë pjesës së dytë ajo do të shënonte edhe dy gola të tjerë me autorë Correan dhe Kamel.
Përfundimisht 4-1 për Vllaznia “B” e cila me këtë fitore ngjitet në kuotën e 28 pikëve dhe vijon të mbajë vendin e parë në renditje, e ndjekur nga Dinamo e vendit të dytë që ka 23 pikë, por edhe një ndeshje më pak. Atë me KF Shkodra që do të luajë ditën e martë në orën 15.00.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


