UEFA ka njoftuar se ka gjobitur Real Madridin për shkak të sjelljes raciste të një tifozi. Ky i fundit ka bërë përshëndetjen naziste para ndeshjes së kthimit të Play-off-it të Champions League kundër Benfikës, javën e kaluar.
Komisioni disiplinor e ka gjobitur klubin e madh spanjoll me 15.000 euro “për sjellje raciste/diskriminuese të tifozëve të tij”, – shkruhet në komunikatën e UEFA-s.
Gjithashtu, në komunikatë bëhet me dije se është vendosur edhe për një mbyllje të pjesshme prej 500 vendesh të stadiumit “Santiago Bernabeu”.
Klubi madrilen njoftoi pas ndeshjes me Benfikën se kishte përjashtuar dhe se i kishte ndaluar hyrjen një tifozi, që ishte filmuar teksa bënte përshëndetjen naziste në shkallët e stadiumit.
Përballjet e Realit me Benfikën u shenjuan edhe nga incidenti i sulmuesit brazilian Vinicius Junior, që akuzoi argjentinasin Gianluca Prestianni, – i pezulluar përkohësisht nga UEFA, – se e kishte quajtur “majmun”.


