Wednesday, March 11, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREMbyllja e fazës së tretë, statistikat konfirmojnë Vllazninë

Mbyllja e fazës së tretë, statistikat konfirmojnë Vllazninë

Shkruar nga Endri ÇINARI

Pas mbylljes së fazës së tretë të edicionit në Kategoria Superiore, gara për titullin kampion është bërë edhe më e qartë dhe më e fortë. Në krye të tabelës së klasifikimit qëndron Vllaznia, e cila pas 27 javësh ka grumbulluar 51 pikë, duke mbajtur një avantazh minimal prej vetëm dy pikësh ndaj ndjekësve më të afërt, Elbasani dhe Egnatia. Kjo diferencë e vogël pikësh paralajmëron një fazë të fundit kampionati mjaft të luftuar, ku çdo ndeshje pritet të ketë peshë vendimtare për fatin e titullit.

Statistikat deri në këtë moment tregojnë qartë forcën e skuadrës shkodrane në repartin ofensiv. Kuqeblutë kanë sulmin më të mirë të kampionatit me 36 gola të shënuar në 27 javë, duke lënë pas rivalët direktë. Pas tyre renditet Egnatia me 34 gola të realizuar, ndërsa Elbasani ndjek me 33 gola. Në këtë repart spikat veçanërisht sulmuesi Bekim Balaj, i cili ka qenë protagonisti kryesor i shkodranëve në fazën sulmuese me 13 gola të shënuar, duke u kthyer në një nga lojtarët më vendimtarë të sezonit.

Por forca e Vllaznisë nuk qëndron vetëm në sulm. Kuqeblutë kanë treguar stabilitet edhe në prapavijë, duke qenë njëkohësisht edhe ndër mbrojtjet më solide të kampionatit. Skuadra shkodrane ka pësuar vetëm 21 gola në 27 ndeshje, shifër që e ndan me Elbasanin, ndërsa menjëherë pas tyre renditet Egnatia me 22 gola të pësuar. Këto statistika dëshmojnë balancën që karakterizon tre skuadrat kryesore të këtij sezoni.

Dominimi statistikor i këtyre tre ekipeve në të dy repartet e lojës tregon qartë se lufta për titullin kampion pritet të zhvillohet pikërisht mes këtij treshi. Megjithatë, duke parë renditjen dhe performancën e deritanishme, rivaliteti më i drejtpërdrejtë për Vllazninë duket se do të jetë me Elbasanin dhe Egnatian, dy skuadra që kanë ruajtur ritëm të lartë gjatë gjithë sezonit.

Me kampionatin që hyn në fazën më vendimtare, çdo pikë do të marrë një rëndësi të veçantë. Për shkodranët objektivi është i qartë: ruajtja e vendit të parë dhe vazhdimi i ritmit pozitiv deri në fund të sezonit. Megjithatë, presioni i Elbasanit dhe Egnatias premton një garë të fortë dhe emocionuese deri në javët e fundit të kampionatit.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments