Një foto e publikuar pak ditë më parë teksa ai shfaqej me valixhe në aeroportin e Prishtinës, u shoqërua me lajmin në të gjitha mediat kosovare dhe jo vetëm, se Thomas Brdariç “braktisi” skuadrën e Drenicës nisur edhe nga mungesa e rezultateve.
Por në fakt nuk ka ndodhur kështu. Ish- trajneri i Vllaznisë jo vetëm që shkoi në Gjermani pranë familjes së tij, por edhe u rikthye shpejt për të vijuar punën e nisur me skuadrën e Drenicës sepse besonte tek ajo. Dhe ky besim po i shpërblehet.
Të shtunën skuadra e Brdariç fitoi në transfertë me ekipin e Gjilanit me rezultatin 1-0, ndërsa sot në kuadrin e javës së 25-të të Superligës së Kosovës ka fituar në fushën e saj me rezultatin 4-2 ndaj Malishevës.
6 pikë në 3 ditë për Drenicën e cila gjithsesi mbetet sërish në pozita të vështira në renditje, teksa është e pozicionuar në vendin e parafundit të renditjes, por ecuria e ndeshjeve të fundit i jep shpresë asaj për shpëtimin nga rënia.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


