Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia vijon të konfirmojë forcën e saj në shtëpi, duke e kthyer stadiumin “Loro Boriçi” në një fortesë të vërtetë për kundërshtarët. Skuadra shkodrane po kalon një moment shumë pozitiv në ndeshjet e luajtura para tifozëve të saj, ku rezultatet e muajve të fundit flasin qartë për një ekip që di të shfrytëzojë maksimalisht avantazhin e fushës.
Humbja e fundit e Vllaznisë në shtëpi daton më 28 nëntor 2025, kur kuqeblutë u mposhtën minimalisht 0-1 nga Teuta në javën e 13-të të Kategorisë Superiore. Që prej atij momenti, skuadra shkodrane ka reaguar në mënyrën më të mirë të mundshme, duke mos njohur më humbje në impiantin e saj.
Në total, pas asaj disfate, Vllaznia ka zhvilluar në “Loro Boriçi” nëntë ndeshje mes kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë. Bilanci është mëse pozitiv: tetë fitore dhe vetëm një barazim. Një seri mbresëlënëse që tregon stabilitetin e ekipit dhe aftësinë për të dominuar ndeshjet në shtëpi, pavarësisht kundërshtarëve që ka pasur përballë.
Këto shifra kanë rikthyer besimin dhe entuziazmin edhe te tifozët shkodranë, të cilët vazhdojnë të jenë një mbështetje e rëndësishme për skuadrën. Atmosfera në “Loro Boriçi” ka qenë shpesh vendimtare, duke e bërë edhe më të vështirë për rivalët që të marrin pikë në Shkodër.
Forma e mirë në shtëpi ka ndikuar ndjeshëm edhe në objektivat e skuadrës, me Vllazninë që kërkon të qëndrojë në zonat e larta të renditjes dhe të ruajë ritmin pozitiv në këtë fazë të kampionatit. Vazhdimësia në ndeshjet e luajtura në Shkodër mbetet një nga armët më të forta të ekipit kuqeblu.
Kjo seri pozitive do të vihet sërish në provë këtë të shtunë, kur në “Loro Boriçi” do të zbresë FC Dinamo, në sfidën e vlefshme për javën e 29-të të Kategorisë Superiore. Shkodranët synojnë të zgjasin edhe më tej pathyeshmërinë në shtëpi dhe të pasurojnë serinë e rezultateve pozitive para publikut të tyre.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


