Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Mungesa e portierit shkodran Cen Amuli në listën e Kombëtares shqiptare U-14 për dy ndeshjet miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut ka ngjallur habi.
Talenti i Akademisë Vllaznia ka qenë një nga portierët më të spikatur të kësaj grupmoshe në sezonet e fundit, duke treguar vazhdimësi si me klubin ashtu edhe në grumbullimet e mëparshme kuqezi.
Pavarësisht formës së mirë sportive dhe paraqitjeve pozitive, Amuli nuk figuron në listën e publikuar nga trajneri italian Francesco Vitobello për sfidat e 17 dhe 19 qershorit ndaj Maqedonisë së Veriut. Deri tani nuk ka asnjë sqarim zyrtar për mosftesën e portierit shkodran, ndërsa kjo zgjedhje ka surprizuar jo pak opinionin sportiv në Shkodër.
Kombëtarja U-14 do të zhvillojë dy takime miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut më 17 dhe 19 qershor, ndeshje që janë pjesë e procesit të evidentimit dhe zhvillimit të futbollistëve premtues të kësaj grupmoshe.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


