Shkruar nga Endri ÇINARI
Në një merkato vere ku shumë futbollistë po kërkojnë destinacionin e radhës, një nga emrat që rezulton i lirë në tregun e transferimeve është edhe Mehdi Çoba. Sulmuesi shkodran 26-vjeçar ka mbyllur aventurën e tij njëvjeçare në futbollin kosovar dhe tashmë po shqyrton ofertat për hapin e ardhshëm në karrierë.
Sezonin e fundit, Çoba e ndau mes dy skuadrave në Kosovë. Në pjesën e parë të kampionatit ai ishte pjesë e Gjilanit, ndërsa në gjysmën e dytë veshi fanellën e Drenicës. Me përfundimin e kontratës së tij, sulmuesi është aktualisht lojtar i lirë dhe një mundësi interesante për klubet që synojnë të përforcojnë repartin ofensiv gjatë kësaj vere.
Sipas informacioneve, interesimi për shërbimet e tij nuk mungon. Disa skuadra të Kategorisë Superiore në Shqipëri, por edhe klube nga Kosova, po monitorojnë situatën e futbollistit shkodran. Megjithatë, deri në këto momente nuk ka ende asgjë konkrete sa i përket destinacionit të tij të ardhshëm, me vetë lojtarin që po vlerëson me kujdes alternativat në dispozicion.
Pa dyshim, Çoba përfaqëson një opsion të vlefshëm për çdo skuadër që kërkon eksperiencë dhe garanci në repartin e sulmit.
Nuk duhet harruar se sulmuesi shkodran ka qenë pjesë e Vllaznisë për pesë sezone, periudhë gjatë së cilës arriti të fitonte edhe Kupën e Shqipërisë me kuqeblutë.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


