Shkruar nga Endri ÇINARI
Sulmuesi 20-vjeçar i Vllaznisë, Kevin Dodaj, pritet të marrë një rol edhe më të rëndësishëm në javët e mbetura të sezonit. Kuqeblutë janë përballur me një goditje të rëndë në repartin ofensiv pas dëmtimit të Lirim Kastrati, i cili ka mbyllur para kohe sezonin. Kjo situatë hap automatikisht më shumë hapësira për talentin shkodran, i cili tashmë shihet si një nga alternativat kryesore në sulmin e skuadrës.
Me konfigurimin e ri taktik që pritet të përdorë trajneri, shumë gjasa ka që Esat Mala të aktivizohet në krahun e djathtë të mesfushës në ndeshjet e ardhshme. Një lëvizje e tillë do të thotë se në qendër të repartit ofensiv do të kërkohet një partner për kapitenin dhe bomberin e skuadrës, Bekim Balaj. Në këtë pikë, gara për një vend titullari pritet të zhvillohet mes Dodajt dhe sulmuesit ganez Çarls Bismark.
Megjithatë, forma e këtij të fundit ka qenë mjaft e paqëndrueshme gjatë këtij edicioni. Luhatjet në paraqitje kanë bërë që besimi ndaj tij të mos jetë gjithmonë maksimal, ç’ka rrit shanset që Dodaj të marrë më shumë minuta në fushë. Për një futbollist të ri, i cili kërkon të konfirmohet në nivele të larta, kjo periudhë mund të jetë momenti ideal për të treguar potencialin e tij.
Dodaj u rikthye te Vllaznia në Shkodër gjatë merkatos së janarit në formën e huazimit nga CSKA Sofia. Një eksperiencë që, pavarësisht minutazhit jo shumë të madh, i ka shërbyer për të fituar më shumë pjekuri dhe eksperiencë. Deri më tani numri “22” ka zhvilluar 7 ndeshje me skuadrën e Martinit që prej rikthimit të tij në muajin janar.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


