Trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, ka theksuar se barazimi përballë Dinamos ishte një mundësi e humbur për t’u shkëputur në kryesim.
“Kishim hyrë në ndeshje të fitonim, barazimi në ndeshjen e djeshme na jepte favore se mund të shkëputeshim nga vendi i dytë. Nuk u munduam të ruheshim edhe pse Dinamo luajti mirë, nuk luajti keq. Por ne kishim 61% mbajtjen e topit, kishim rastet tona, edhe Dinamo kishte në pjesën e parë. Duhej fituar kjo ndeshje, nuk ia arritëm.
Në pjesën e parë, ia falëm dy herë topin me portierin, një herë më mbrojtësit dhe na doli në kundërsulm Dinamo për gabimet tona. Por mund të shihej që dy ekipet kërkuan të fitonin ndeshjen, u bë sa në një portë në tjetrën. Kishte pak ekuilibër në pjesën e parë, u munduam ta gjenim në pjesën e dytë. Bëmë shumë zëvendësime, rrezikuam mbrapa, kishim një rast ku mund të ndëshkoheshim, edhe mund të goditeshim në fund. Gjithsesi lojë e mirë, por ajo që duhet nuk është loja por pikët, kishim rastet tona, nuk arritëm të shënonim. Ndoshta fati, janë ndeshje të tensionuara, futbolli kështu e ka, duhet të jesh shumë gjakftohtë. Ashtu siç e kishim përgatitur të sulmonim të majtën e tyre, dolëm disa herë, na mungoi qetësia e duhej të shënonim. Më vjen keq që nuk shënuam sot.
Dinamo për hir të vërtetës ka individë shumë të mirë, pavarësisht se nuk ka marrë rezultate, ka ekip mjaft të mirë. Habitem që është në këtë gjendje, është ekip që i nxjerr punë kujtdo. Për mua është ndër ekipet më të mira, mund t’i nxjerrë punë kujtdo e të mundë të gjithë.
Patëm vështirësi në markim me uljen e Bregut apo Berishës në mesfsuhë, nuk lexuam mirë, patëm disa probleme. Kurse për topin e gjatë kishim planifikuar gjithë javën që krahët e mbrojtjes të shfrytëzonin në maksimum e ti sulmonin. Kemi dalë shumë herë, sidomos djathtas, por mungoi pasimi i fundit. Atë që kemi bërë në stërvitje, nuk e kemi bërë sot, na vjen shumë keq se do ishin tre pikë me vlerë.
Kastrati dihet që na ka prishur punë, por edhe Mala që e zëvendësoi sot në krah bëri një ndeshje shumë të mirë. Kastrati është ndër më të mirët që ka Superiorja, kemi një farë shprese që mund të kthehet, se dëmtimi nuk është aq i rëndë sa u tha në fillim. Shpresojmë të kthehet, por kemi edhe të tjerë. Çdo lojtar në fushë është i vlefshëm, shpresoj që të kthehet brenda dy javësh.
Dodaj preferon të majtin me tepër, por bëri një ndeshje ku mund të kërkonte më tepër thellësi, ka karakteristika të tjera jo si luajmë ne. U mundua, bëri maksimumin, bëri volum. Duhet të qajmë pikët që na ikën, por jemi në vend të parë dhe shpresojmë ta mbajmë përsëri”, tha Martini për RTSH pas ndeshjes.


