Shkruar nga Engjëll GJOLAJ
Një emër i njohur i futbollit lezhjan, Atilio Lesaj, vazhdon të jetë pranë sportit edhe pas përfundimit të karrierës si futbollist. Ish-lojtari i Besëlidhjes, sot trajner i moshave U-9 dhe U-11 në qytetin e Lezhës, prej 15 vitesh punon me përkushtim në formimin e brezave të rinj.
I lindur më 13 mars 1982 në Lezhë, Lesaj është diplomuar në Institutin e Fizkulturës në Shkodër dhe ushtron profesionin e mësuesit të edukimit fizik. E gjithë karriera e tij si futbollist lidhet me Besëlidhjen, ekip ku u rrit dhe ku edhe e mbylli rrugëtimin në fushën e blertë.
I njohur për rolin e tij si organizator në mesfushë, ai ka qenë një nga lojtarët më teknikë të skuadrës, i dalluar për driblimet, shpejtësinë dhe aftësinë për të shënuar në momente vendimtare. Eleganca në lojë bëri që shpesh të thirrej me nofkën “Bebeto”.
Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Lesaj kujton fillimet e tij me emocion:
“Fanelen e Besëlidhjes e kam veshur për herë të parë në moshën 17-vjeçare. Ishte një ndjesi e veçantë dhe një përgjegjësi e madhe që nuk do ta harroj kurrë.”
Trajneri i tij i parë ka qenë Ritvan Kulli, për të cilin ruan vlerësimin maksimal, duke e cilësuar edhe si trajnerin më të mirë në karrierën e tij.
Sa i përket ndikimit në rrugëtimin e tij, Lesaj thekson:
“Pasioni për futbollin ka qenë gjithmonë shtysa kryesore, por nuk mund të lë pa përmendur mbështetjen e familjes, sidomos të babait tim, Pjetër Lesaj.”
Ky i fundit ka qenë një figurë e rëndësishme sportive në Lezhë, si mësues i edukimit fizik, trajner atletike dhe drejtues për rreth 30 vite pranë klubit Besëlidhja.
Në karrierën e tij, Lesaj kujton si momente të vështira dëmtimet, ndërsa më të bukurat mbeten golat e shënuar. Një prej tyre ka një vend të veçantë:
“Goli më i bukur ka qenë në një ndeshje miqësore në Mal të Zi, një goditje me roveshatë në fitoren 2-0. Trajner ishte Vasil Bici.”
Ndër shokët e skuadrës, ai veçon me emocion të ndjerin Rigers Pjetrushi:
“Kemi qenë bashkë në shkollë, në sport dhe në jetën e përditshme. Një kujtim që do të mbetet gjithmonë.”
Sa i përket futbollit aktual, Lesaj vlerëson Leonard Perloshin si një nga lojtarët më të mirë të Besëlidhjes ndër vite.
Prej 15 vitesh tashmë në rolin e trajnerit, ai shprehet i përkushtuar ndaj punës me fëmijët:
“Punoj me shumë pasion. Fëmijët më japin kënaqësi të veçantë dhe dëshira ime është që nga duart e mia të dalin talente të rinj.”
Në arenën ndërkombëtare, skuadra e tij e preferuar mbetet Brazili, ndërsa për Besëlidhjen e sotme shprehet optimist:
“Me ardhjen e presidentit të ri, mbështetjen e Bashkisë dhe punën e stafit, skuadra po ecën në rrugën e duhur. Besoj se do të rikthehet në nivelin që i takon.”


