Tuesday, March 24, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREOpinion nga Besnik Dizdari/ …Viti 2026. Te editoriali i 13 vjetëve më...

Opinion nga Besnik Dizdari/ …Viti 2026. Te editoriali i 13 vjetëve më pas…

E pra si mund të lidhen dy editoriale kësisoji 13 vjet larg njeri tjetrit?… Në të vërtetë lidhen. I lidh historia. Historia që ndryshon, që krahason, që bashkon, që ndan. Do t’iu lutesha ta lexoni nesër editorialin televiziv të 13 vjetëve më parë jo vetëm për faktin se ai po botohet për herë të parë në shtypin shqiptar.

Por mbi të gjitha sepse në te do të gjeni ato që nuk i gjeni sot. Sigurisht, në atë Kampionat datuar 2013, nuk do të gjeni vazhdimësinë e sotme të skuadrës së një qyteze me emrin antik “Egnatia”, e cila ka fituar rresht dy Kampionate të Shqipërisë dhe kërkon edhe të tretin. Ndërsa në këte kampionat datuar viti 2026, nuk do ta gjeni KF Kukësin – Nënkampion 2013. Dhe me dhimbje, sigurisht, nuk do të gjeni as Skenderbeun – Kampion 2013, sot i përplasur atje tej, në Kategorinë e Dytë (se e Dytë është).

Nuk do të gjeni as Besën e Kavajës që “nuk dihet se ku është”, ose mund ta gjeni në Luz. Përveç të tjerave ngaqë tash kushedi sa kohë qyteti i Kavajës nuk ka stadium!? Nuk do të gjeni as Tomorin e Beratit, të cilit dikur Partia “i dhuroi” një stadium që për kah madhësia ishte i dyti në Shqipëri mbas atij “Qemal Stafa” që u zhduk. Po kështu, në renditjen e sotme 2026, nuk do të gjeni as Luftëtarin e Gjirokastrës të Sefedin Brahos së madh. Të gjithë këta, me Korçë e Kavajë, me Berat e Gjirokastër nuk i keni në kampionatin e sotëm.

Dhe nuk po shkoj te Fieri, edhe ky një qytet futbolli, të cilin gjithashtu nuk e keni sot. Dhe as te Lushnja. Të gjiitha këto edhe ngaqë sot nuk do të gjeni Kampionatin me 14 skuadra të vitit 2013, që ishte i shtrirë gati në gjithë Shqipërinë, por do të gjeni Kampionatin me vetëm 10 skuadra, i cili deri në 40 përqind është i shtrirë vetëm në kryeqytetin Tiranë:

SK Tirana, Partizani, Dinamo, e pse jo, edhe Vora. E shihni që mbrenda 13 vjetëve Kampionati i Shqipërisë është “denatyruar” prej mungesave të mëdha qytetare. Sigurisht nuk mëtojmë që Kampionati i vitit 2013 të ketë qenë diçka fenomenale. Jo, jo! Por që ka qenë mirëfilli një kampionat qytetar i gjithë Shqipërisë, këte mund ta themi pa asnjë luhatje. Vështroni renditjen e atij Kampionati 2013:

1. SKENDERBEU / Korça 58

2. KF KUKESI / Kukësi 52

3. TEUTA / Durrësi 48

4. FLAMURTARI / Vlora 46

5. SK TIRANA / Tirana 43

6. VLLAZNIA / Shkodra 38

7. KF LAÇI / Laçi 38

8. KASTRIOTI / Kruja 34

9. BESA / Kavaja 32

10.BYLIS / Ballshi 30

11.SHKUMBINI / Peqini 29

12.TOMORI / Berati 19

13.LUFTETARI / Gjirokastra 19

14.APOLONIA / Fieri 13

Sot është diçka krejt ndryshe. Sot janë pra, vetëm 10 skuadra. Dhe mbas Javës 29, ta do mendja se tri prej tyre, mund ta kanë siguruar katërshen “artificiale” të titullit, ate që gazetaria jonë nuk parapëlqen ta emërtojë shqip si “katërshja e titullit kampion”, por i thotë pa prâ anglisht: “final four”! Me gjasë një stil modern anglosakson!…

Ndërkaq, nuk duhet harruar. Nuk duhet harruar që fati i pamshirshm i vetë futbollit, në këte rast i këtij shqiptar, shpërthen përmbysës. Besoj e kujtoni që në mëdyshjet e këtyre 29 javëve pati jo pak përmbysje kësisoji. Bie fjala, në Javën 8 AF Elbasani ishte në vendin e pestë me 5 pikë larg Vllaznisë kryesuese. Mirëpo, jo larg, por në Javën 10 po ky Elbasan u ngjit në krye i barabartë me Shkodrën, nga 20 pikë secili.

Më tej, në Javën 11, Egnatia ishte 4 pikë mbrapa Vllaznisë e AF Elbasanit kryesues. Mirëpo, në Javën 13 skuadra e Rrogozhinës kryesonte renditjen. Një javë më vonë u ringjit në krye AF Elbasani. Por në Javën 17 është përsëri Egnatia e cila arrin të kryesojë, madje me 7 pikë mbi Vllazninë! Spektakolare! Dhe përmbysjet që vazhdojnë pa mëshirë. Eshtë Java 21. Vllaznia mbërrin Egnatian duke kryesuar së bashku me te me nga 39 pikë secila. Ec e besoje që kishte qenë 7 pikë mbrapa!… Dhe jo larg, por në Javën 24, AF Elbasani ishte me 6 pikë më pak se Vllaznia kryesuese, ndërsa Dinamo të cilët “analistët kryeqytetas” pranë saj, gati çdo javë e quanin petendente të madhe, ndodhej plot 12 pikë larg Vllaznisë, e AF Elbasani bukur 6 pikë po mbrapa shkodranëve.

Po për çudi do të mbërrinte përmbysja e madhe e këtyre javëve të fundit: Vllaznia e AF Elbasani me nga 53 pikë në krye e Egnatia gati po aty me vetëm 2 pikë më pak: 51. Të tjerët? Dinamo “pretendente” 13 pikë larg Vllaznisë e AF Elbasanit kryesues, Partizani 9 pikë larg, E mandej? Mandej Flamurtari gjithnjë i fundit. Madje tash edhe 3 pikë më pak se SK Tirana, e cila edhe pse fiton 3-0 me FK Vorën, prap mbetet aty ku zbret: e 9-ta! Ndonëse kjo javë numër 29 thuajse bashkoi plot katër skuadra mëtuese për rënie: Flamurtari 24 pikë, SK Tirana e FK Vora nga 27 dhe… Bylis 30!

Kemi të bëjmë me një kampionat ku gati gjysma e skuadrave, bukur 40 përqind e tyre, rrezikojnë të zbresin për në Kategorinë e Dytë (se e Dytë është). Vendos në kllapa “(se e Dytë është)” për të rrëzuar për të njëqintën herë një të pavërtetë të madhe të FSHF që është kjo: Historia na kujton se mbi nja 60 vjet të tanë, Kampionati Kombëtar i Shqipërisë ka qenë emërtuar zyrtarisht si “Kampionati i Kategorisë së Parë”. Kështu që “Kategoria e Parë” e FSHF-së së sotme është absolutisht Kategoria e Dytë.

Dhe ky është një truk që i mashtron skuadrat që bijen. Të cilat rrêhen duke kujtuar se janë skuadra të Kategorisë së Parë, ndërkohë që pastërtisht janë skuadra të Kategorisë së Dytë. Iu duket se nuk kanë rënë në Kategorinë e Dytë, sepse iu thonë “që keni rënë në të Parën”. Kësaj i thonë që qenke një rënës jo “dytësor”, por një rënës “parësor”.

Federata Shqiptare Futbollit ka guxuar deri të shpërbëjë vetë historinë e Kampionateve të Shqipërisë… E gjitha kjo do të thotë se kemi të drejtë të mendojmë kështu deri sa rëniet e tyre priten me kaq qetësi prej atyre që drejtojnë këta qytete: bashkitë, këshillet bashkiake dhe sidomos presidentët e këtyre skuadrave: Korçë, Berat, Gjirokastër, Kavajë, Fier, Lushnje… Të gjithë të nënshtruar me një kryeultësi të pashoqe ndaj organzmit që drejton futbollin shqiptar, që me sa duket nuk pyet askend tjetër përveç vetvetes.

Kjo ngaqë edhe e ka shuar Ligën Profesioniste të Futbollit Kombëtar!? Për të mos shkuar më tej. Papritmas, tash, teksa e lexoj edhe unë editorialin tim televiziv të 13 vjetëve më parë, ai po më duket më tërheqës se ky i 13 vjetëve më mbas. Asokohe shkruaja për më shumë skuadra, për më shumë qytete e vetvetiu edhe për më shumë ngjarje të rangut të parë, ndeshje e rezultate po të rangut të parë. E nuk po më mbetet të mos them edhe diçka tjetër “tekniko-statistikore”: të kujtoj që deri në këte çast ky është kampionati i 41 ndeshjeve të përfunduara me vetëm 1 gol, pra me rezutatin 1-0.

Pa harruar se 19 ndeshje të tjera kanë përfunduar 0- 0. Kjo do të thotë se nga nga 140 ndeshje të deritashme, 60 prej tyre janë ndeshje të thuajse “zhdukjes” së golave, pa përfshirë këtu 21 ndeshjet e rezultatit 1-1! Kjo është një statistikë që të bën të mendosh fort, natyrisht… Kësisoji, vetvetiu të mbetet kujtesa te kampionati i 13 vjetëve më parë.

Më saktë te editoriali televiziv i atij Kampionati, me shpresë për të medituar sadopak edhe lexuesi i sotëm, amatori i madh i futbollit tonë kombëtar, më saktë i Kampionatit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë. Ndonëse kam përshtypjen se nuk është aspak i madh. Eshtë krejt “i vogël”, ashtu, në pakicë të tejskajshme të tribunave thuajse të boshatisura…

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments