Thursday, April 2, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORETransfertat në Superiore, Vllaznia për t’u kthyer tek fitorja ndaj Partizanit

Transfertat në Superiore, Vllaznia për t’u kthyer tek fitorja ndaj Partizanit

Shkruar nga Endrri ÇINARI

Vllaznia po kalon një sezon me dy fytyra në edicionin 2025-26 të Kategoria Superiore, ku në “Loro Boriçi” skuadra kuqeblu shfaq stabilitet dhe siguri, ndërsa në transfertë vuan dukshëm për të marrë rezultate pozitive. Ky kontrast i fortë ka ndikuar ndjeshëm në renditjen dhe objektivat e ekipit shkodran, duke e kthyer çdo duel jashtë fushe në një provë të vështirë për shkodranët.

Fitorja e fundit larg Shkodrës për 9 herë kampionët e vendit daton më 1 shkurt 2026, në javën e 22-të të kampionatit, ndaj Teutës. Një përballje e luftuar, e vendosur nga një episod i vetëm, ku protagonisti ishte Esat Mala me golin që vulosi shifrat 0-1. Që prej asaj dite, suksesi në transfertë është kthyer në një mision të parealizuar për kuqeblutë.

Pas asaj fitoreje, Vllaznia ka zhvilluar disa ndeshje të vështira jashtë fushe, pa arritur të rikthejë buzëqeshjen. Humbja 2-1 ndaj Bylis tregoi problemet në mbrojtje dhe mungesën e konkretizimit në momentet kyçe. Një tjetër disfatë erdhi në Vlorë, ku Flamurtari arriti të fitojë minimalisht 1-0, duke shfrytëzuar më së miri faktorët e fushës dhe pasiguritë e kundërshtarit.

Në transfertën ndaj Egnatias në Rrogozhinë, Vllaznia arriti të marrë vetëm një pikë pas barazimit 0-0. Edhe pse një rezultat që ndal serinë e humbjeve, loja e skuadrës nuk arriti të bindë plotësisht, sidomos në aspektin ofensiv, ku mungoi finalizimi dhe qartësia në fazën e fundit.

Këto rezultate kanë nxjerrë në pah një problem të vazhdueshëm për ekipin e drejtuar nga Edi Martini, i cili ende nuk ka gjetur formulën e duhur për ndeshjet jashtë fushe. Presioni rritet jo vetëm nga objektivat sezonalë, por edhe nga pritshmëritë e tifozëve shkodranë, të cilët kërkojnë një skuadër më konkurruese në çdo stadium.

Kjo e shton edhe më shumë peshën e transfertës së kësaj fundjave ndaj Partizanit. Një përballje delikate, ku Vllaznia do të synojë t’i japë fund serisë negative dhe të rikthehet te fitorja jashtë fushe. Për kuqeblutë, kjo ndeshje nuk është thjesht për tre pikë, por për të rikthyer besimin dhe për të dëshmuar se mbeten pretendentë seriozë në kampionat.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments