Thursday, April 2, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLL - KATEGORIA E DYTEElvin Beqiri: Tërbuni nuk e meriton Kategorinë e Dytë, derën e mbaj...

Elvin Beqiri: Tërbuni nuk e meriton Kategorinë e Dytë, derën e mbaj të hapur për një rikthim tek kjo skuadër

Elvin Beqiri, ish-futbollisti i njohur shkodran dhe një emër i respektuar i futbollit shqiptar dhe Kombëtares, ka folur së fundmi për “Panorama Sport” lidhur me situatën aktuale të Tërbunit, skuadër që ai e ka drejtuar në të kaluarën si trajner.

Nga Kanadaja, ku ai jeton aktualisht, ish-mbrojtësi ka bërë një analizë të qartë të gjendjes së klubit pukjan, duke theksuar se vendi i tij nuk është në Kategorinë e Dytë. Beqiri kujton me nostalgji eksperiencën e tij në pankinën e Tërbunit gjatë sezonit 2021-2022, ku skuadra zhvilloi një kampionat shumë pozitiv dhe ishte ndër protagonistet kryesore të Kategorisë së Parë.

GJENDJA AKTUALE E TËRBUNIT

“Jam munduar të ndjek ecurinë e futbollit shqiptar në përgjithësi, por edhe të Tërbunit në veçanti. Është e vërtetë që informacionet për Kategorinë e Dytë nuk janë gjithmonë të plota, por përmes miqve jam në dijeni të situatës. Më vjen keq për pukjanët që ndodhen në këtë kategori. Tërbuni ka qenë një ekip protagonist në Kategorinë e Parë dhe ka luftuar për vendet e larta. Mendoj se Puka dhe tifozët e saj e meritojnë një skuadër në një kategori më lart”, u shpreh Beqiri.

E ARDHMJA, PROJEKT DHE INVESTIME

Sipas Beqirit, rikthimi i Tërbunit në nivelet më të larta nuk është thjesht çështje dëshire, por kërkon një strategji të qartë: “Sigurisht që për t’u rikthyer aty ku i takon, duhen projekte konkrete dhe investime serioze. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrihen sukseset dhe të përmbushen ambicet që ekzistojnë në atë qytet”.

RIKTHIMI I MUNDSHËM

I pyetur për një rikthim të mundshëm në pankinën e Tërbunit, Beqiri nuk e përjashton një gjë të tillë, duke lënë gjithçka të hapur për të ardhmen. “Kam kaluar një sezon shumë pozitiv atje dhe ruaj kujtime të shkëlqyera. Respektin dhe dashamirësinë që kam marrë nuk do t’i harroj kurrë, dhe kjo më bën të kem një konsideratë shumë të lartë për atë klub. Në të ardhmen mund të ndodhë edhe një rikthim, pse jo. Por për momentin jam larg dhe kushtet nuk janë për t’u përfshirë në futbollin shqiptar. Gjithsesi, për një skuadër si Tërbuni, dera ime do të jetë gjithmonë e hapur”, vijoi ish-trajneri.

PRIVATIZIMI SI RRUGËDALJE

Në fund, ish-mbrojtësi jep edhe një ide konkrete për të ardhmen e klubit, duke theksuar rëndësinë e ndryshimeve strukturore. “Për mendimin tim, rruga më e mirë për Tërbunin është privatizimi. Besoj se kjo do të ishte mundësia më e mirë për të ecur përpara dhe për të synuar rikthimin në një kategori më të lartë. Shpresoj të arrihet kjo gjë sa më shpejt, sipas zërvae që kanë dalë për shitjen e klubit përmes ankandit”, përfundoi ish-mbrojtësi i Kombëtares.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments