Vllaznia në volejboll për meshkuj dështon në përpjekjet e saj për të vijuar garën e titullit kampion duke mos arritur madje të futet dot as në katërshe. Kjo sepse i ka humbur të dyja ndeshjet e fazës para play-off ndaj Erzenit dhe si rrjedhojë këtu ka marrë fund rrugëtimi i saj.
Pasi e kishte humbur ndeshjen e parë në transfertë, ekipi shkodran shpresonte shumë që sonte të fitonte dhe ta çonte çështjen e kualifikimit në ndeshjen e tretë, por nuk ka ndodhur kështu. Edhe sonte në “Qazim Dervishi” kanë qenë shijakasit që kanë fituar 3-2 duke vijuar më tej.
Takimi ka nisur më mirë për Erzenin i cili e fiton setin e parë me shumë vështirësi 28-26 dhe më pas edhe të dytin, por këtë herë krejt lehtë 25-15 duke shpresuar ta mbyllte shpejt atë, por nuk do të ndodhte kështu.
Vllaznia reagoi dhe fillimisht fitoi të tretin 25-21 dhe më pas edhe të katërtinn 26-24 duke e çuar ndeshjeen në këtë mënyrë në set final. Ky i fundit nis më mirë për miqtë që udhëheqin 5-2 dhe më pas 8-5, por kuqeblutë arrijnë të afrohen, por pa mundur dot të barazojnë dhe në fund ka qenë Erzeni që ka fituar 15-13 dhe krejt ndeshjen 3-2.
Në këtë mënyrë merr fund një tjetër sezon i dështuar për kuqeblutë të cilët ndonëse këtë herë morën si përforcim edhe 4 volejbollistë të huaj, sërish nuk ia dolën të hyjnë as në katërshe. Kjo do të thotë se mbase drejtuesit e Shoqatës së Volejbollit Vllaznia duhet të bëjnë një analizë të hollësishme për atë se çfarë duhet ndryshuar në të ardhmen sepse si meshkujt edhe femrat dështuan në përpjekjet e tyre për të arritur objektivat.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


