Tuesday, April 14, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREALMANAK/ Sot dita për të kujtuar 'Mjeshtrin e Madh' të atletikës shkodrane...

ALMANAK/ Sot dita për të kujtuar ‘Mjeshtrin e Madh’ të atletikës shkodrane e shqiptare, Vildan Tufi

Shkruar nga Gjergj KOLA

Historia e atletikës shkodrane dhe shqiptare prej disa vitesh është “më e varfër” pa njërin prej emrave që kanë shkruar historinë e këtij sporti, “Mjeshtrin e Madh” Vildan Tufi. Ndaj sot ndalemi te ky personazh i njohur, pasi kjo ditë përkon me ditëlindjen e tij, pikërisht me 81-vjetorin e lindjes. Është pa dyshim momenti i duhur për ta kujtuar dhe për ta rikthyer në vëmendjen e të gjithëve.

Ai ka lindur në Shkodër, më 14 prill 1945, dhe jetën e tij ia ka përkushtuar atletikës. Nga duart e tij kanë dalë shumë kampionë dhe rekordmenë, por tre prej tyre spikasin në veçanti, pasi janë nderuar edhe me tituj të lartë.

Profesor Tufi ka stërvitur Vera Bregun, një sportiste që ka vendosur rekorde që ende nuk janë thyer në garën e kërcimit së gjati, me 6.53 metra, dhe në trehapësh, me 13.51 metra. Ajo ka qenë pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike të vitit 1996 në Atlanta, SHBA, si dhe dy herë kampione e Ballkanit, përveç shumë medaljeve të fituara në gara ndërkombëtare.

Pas saj, ai ka stërvitur edhe Arbana Xhanin, 20 vite kampione absolute në garat e shpejtësisë, në 100 dhe 200 metra, si dhe në stafetë. Edhe ajo është fituese e disa medaljeve në arenën ndërkombëtare.

Ndërkohë, kampioni i tretë i madh është Izmir Smajlaj, me të cilin arriti madje të shpallej edhe kampion Europe. Në plan kishte që, së bashku me sportisten Erisa Rrasa, të arrinte suksese të tjera dhe të rikthehej sërish në Lojërat Olimpike, por këtë herë planet mbetën përgjysmë.

Megjithatë, për historinë e këtij sporti, por edhe të mësuesisë—pasi ka qenë një pedagog i shkëlqyer—ai do të mbetet gjithmonë një figurë e rëndësishme. Njëkohësisht, edhe një busull orientimi për të tjerët.

Profesor Vildan Tufi u nda nga jeta më 18 tetor 2020, në një kohë kur kishte ende shumë për të dhënë, por një sëmundje e rëndë ia ndërpreu rrugëtimin, duke i marrë jetën para kohe “Mjeshtrit të Madh”.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments