Shkruar nga Gjergj KOLA
Vetëm 15 vjeç, por duket se ai do të ketë një të ardhme të sigurtë në sportin e atletikës. E kemi fjalën për Andrea Nënshatin. Në fakt tradita familjare e tij është e lidhur ngushtësisht me fotografinë, por vetë ai ka zgjedhur që përveç shkollimit, t’i përkushtohet edhe sportit.
Ai prej pak vitesh ka zgjedhur atletikën duke punuar me shumë përkushtim nën drejtimin e trajnerit Albert Marashi. Për momentin ai është duke u marrë me garat e pengesave, por edhe atë të kërcimit së larti, por shumë shpejt mund të kalojë edhe tek ajo e kërcimit së gjati sepse i ka parametrat e duhur për të qenë edhe aty një atlet kampion.
Ndërkohë në garat e para dy ditëve të zhvilluara në pistën e stadiumit “Loro Boriçi” që i përkisnin kampionatit kombëtar të moshës deri 16 vjeç, ai ka arritur një rezultat shumë të mirë në garën e kërcimit së larti. Ka arritur të kërcejë 1.75 metra dhe me një rezultat të tillë ai jo vetëm është shpallurr kampion kombëtar, por edhe ka barazuar rekordin kombëtar të moshës së tij, pra 15 vjeç.
Ky rezultat merr një rëndësi të madhe sepse rekordi i mëparshëm është vendosur para plot 43 vitesh dhe sërish në Shkodër. Në atë kohë, saktësisht më 20 shtator 1983 ka qenë atleti i ekipit të Tiranës Ergys Qendro që e pat vendosur këtë rekord duke kërcyer 1.75 metra. Dhe që nga ajo kohë ka patur shumë tentativa për ta thyer, por askush nuk ia ka dalë.
Andrea Nënshati tashmë e ka barazuar atë dhe me shumë mundësi në garat e ardhshme do ta thyejë sepse i ka të gjithë parametrat e duhur për ta bërë këtë gjë. Shtatëlarti dhe me të dhëna shumë të mira fizike, ai pritet të jetë rekordmeni i ardhshëm i kësaj gare dhe ndoshta jo vetëm i saj.
Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse atletika shkodrane ka nxjerrë dhe vijon të nxjerrë pafund kampionë dhe rekordmenë dhe Nënshati mund të jetë i rradhës që do të ndjekë rrugën e tyre.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


