Dinamo u ndal në Ballsh me një barazim 1-1 ndaj Bylisit, në një ndeshje që la shumë për të dëshiruar për kryeqytetasit, sidomos në një moment kur ekipi po jepte sinjale rikthimi në formë.
akimi mori një kthesë të fortë në minutat e fundit të pjesës së dytë, kur Gudiabi u ndëshkua me dy kartonë të verdhë brenda pak minutash, duke lënë Dinamon me 10 lojtarë dhe duke ndryshuar krejtësisht ekuilibrin në fushë. Ky episod rezultoi vendimtar, pasi skuadra nuk arriti të menaxhonte situatën për të kërkuar fitoren deri në fund edhe pse arriti të barazonte shifrat.
Pavarësisht se Dinamo gjeti rrugën e rrjetës dhe riktheu baraspeshën, mungesa numerike e bëri të pamundur marrjen e tre pikëve, duke i kushtuar një mundësi të rëndësishme në garën për pozicionet e larta në tabelë. Pas vërshëllimës së fundit, trajneri Ilir Daja u shpreh kritik ndaj mesfushorit, duke e cilësuar si një veprim që i kushtoi shumë skuadrës në një ndeshje delikate. Ndërkohë, sipas burimeve pranë klubit të Dinamos, situata ka pasur edhe zhvillime brenda dhomave të zhveshjes, ku një debat i ashpër mes trajnerit dhe lojtarit ka degjeneruar në tension të momentit, i cili është neutralizuar menjëherë nga ndërhyrja e pjesëtarëve të stafit dhe lojtarëve të tjerë.
Po të njëjtat burime bëjnë të ditur se klubi ka marrë edhe një masë disiplinore ndaj Gudiabit, duke e dërguar përkohësisht në ekipin B, si reagim ndaj episodit në ndeshje dhe situatës së krijuar më pas.
DITA- Gjatë ndeshjes me Bylisin, edhe vetë kapiteni Bruno Dita u tensionua me Gudiabin. Dita u mërzit për faktin se Gudiabi u ndëshkua dy herë me kartonë të verdhë në harkun kohor të pak minutave duke lënë skuadrën me 10 lojtarë. Edhe në të shkuarën, Gudiabi ka qenë disa herë lojtari që ka marrë kartonë të kuq duke ndikuar jo pak në ecurinë e skuadrës së tij e duke i lënë me 10 lojtarë.
Me shumë gjasa, Gudiabi do të rikthehet sërish në skuadrën e parë, por fakti që ndaj Tiranës ëhstë jashtë për kartonë, mund ta lërë me skuadrën B për disa ditë të tjera, teksa kalendari pritet të jetë i ngjeshur.


